Hahn për negociatat: BE duhet ta rregullojë atë gabim strategjik

Hahn për negociatat: BE duhet ta rregullojë atë gabim strategjik

Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor është garancia e vetme për zhvillimin e rajonit. Në fjalën e fundit në rolin e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn u shpreh të enjten, 7 nentor,  i keqardhur për boshllëkun që ka krijuar mosçelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, është gabim strategjik t'i trajtosh vendet si periferi e Europës, kur janë realisht pjesë e saj.

"Besueshmëria jonë është dëmtuar rëndë. Dhamë garanci se me përmbushjen e kushteve do të fillonim negociatat. Nuk i mbajtëm premtimet dhe shpresoj që ky vendim të rishikohet, për të shmangur krijimin e vakumeve të rrezikshme," deklaroi Hahn para eurodeputetëve të komisionit të jashtëm. 

Për zyrtarin europian, skepticizmi i vendeve të caktuara për reformat ende të parealizuara në Tiranë dhe Shkup nuk është i justifikueshëm.

"Drita jeshile për dy kryeqytetet do të ishte një sinjal për hedhjen e hapit tjetër, për konfirmimin e punës së kryer deri tani. Hapja më tej e kapitujve do të marrë shumë muaj të tjerë, dhe reformat do të ndodhin edhe me presionin e BE-së," u shpreh Hahn.

Zemëratën e tij e ndau edhe eurodeputetja letoneze, Sandra Kalnite, e cila tha se ndihej personalisht e turpëruar nga vendimi i samitit të tetorit.

"Nëse i zhgënjejmë edhe në samitin tjetër shpresat e këtyre vendeve, - tha Kalnite, - do të ishte katastrofike për ne."

Pas largimit nga dikasteri i zgjerimit dhe fqinjësisë, zyrtari austriak Hahn është ngarkuar me çështjet e buxhetit në përbërjen e re të Komisionit Europian.

EMISIONET