Tiranë- Xhentil Demiraj, Edvin Libohova, Arjan Kadare dhe Marta Muço janë katër emrat e përzgjedhur nga Presidenti Bujar Nishani për pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. “Monitor.al” ka zbuluar katër kandidaturat që Kreu i Shtetit ka piketuar nga një listë e gjatë aplikuesish. Të katër emrat e renditur si kandidatë të mundshëm janë të njohur dhe me një përvojë të gjatë në fushën bankare. Profesoresha Marta Muço ka një eksperiencë të gjatë në institucionet financiare ndërkombëtare, ka qenë profesore e politikës monetare dhe gëzon mbështetjen e kolegëve të saj në Këshillin Mbiëqyrës dhe Bankën e Shqipërisë ku ka punuar për tre vjet si drejtore e kabinetit të Guvernatorit. Zonja Muço është përfolur si një nga kandidaturat që Presidenti Nishani i refuzoi më herët kryeministrit Rama si emër i propozuar nga kreu i qeverisë pas shkarkimit të Ardian Fullanit. Ndërkaq Arjan Kadareja, ka qenë ish-antar i Këshillit Mbikëqyrës dhe ekspert i njohur i ekonomisë. Kandidati i listuar i pari nga Presidenti, Xhentil Demiraj,ish-drejtori i borxhit duket se ka shumë pak shanse të pranohet nga mazhoranca për shkak të përplasjeve për kredinë sindikale të marrë në kohën kur ishte drejtor në Ministrinë e Financave. Emri tjetër i propozuar Edvin Libohova është një ekspert i bankingut pasi ka drejtuar një bankë private me kapital shqiptar për shumë vite deri në shitjen e saj te një bankë e huaj franceze. Nëse Presdienti Nishani bie dakord me kryeministrin Rama për një nga këta katër emra, atëherë menjëherë pritet dekretimi i njërit prej tyre për tu votuar nga Kuvendi si kryetar i Këshillit të Bankës Qëndrore dhe njëkohësisht Guvernator i saj. [caption id="attachment_422186" align="alignright" width="640"]4 guvernatoret Në foto: Katër kandidaturat e përzgjedhur nga Presidenti Bujar Nishani për pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë[/caption]

/Ora News.tv/