Sot, po flitet, por jo pak dhe po publikohen studime për gruan drejtuese, gruan në politikë, apo gruan në shoqëri. Dua të mendoj, se ajo që po kërkohet të arrihet apo provohet sot është: nëse shoqëria do të bëhet më e mirë, më efektive, më e lulëzuar apo dhe më e paqtë nëse kemi gra drejtuese? 

Mësimet e nxjerra deri më sot, më bëjnë të besoj e të pohoj se: revolucionarizim strukturor që do sjellë roli i shtuar i femrës në shoqëri, nuk do sjellë diskriminim, sikundër ka ndodhur me femrën përgjatë gjithë historisë, por përkundrazi, ka për të qenë i atillë, që do vlerësohet dhe përqafohet edhe nga burrat.

Rëndësi ka të kuptojmë dhe respektojmë veçantitë natyrore të qenies njerëzore e karakterizuar nga prania e elementeve – feminil dhe maskil te secili prej nesh, e cila nga një masë e gjerë është përkthyer gabim me ndarjen: burrë-grua dhe rolet e tyre respektive që ka diktuar shoqëria.

Burrë dhe Grua- nuk janë dy specie të ndryshme. Ato janë një dhe vetëm një, por me veçori fizike, që 1- mundësojnë riprodhimin duke i dhënë dhe misione të ndryshme secilit në jetë dhe 2- ndryshimi strukturor mes femrave dhe meshkujve, bën që femrat të manifestojnë fleksibilitet si në trup dhe mëndje, ndërsa meshkujt të paraqiten më të vendosur, më të ngurtë, më të fortë.

Deri më sot, rrethanat tekniko-ekonomike kanë bërë që mirëqenia dhe mundësitë për të garantuar jetesën të siguroheshin falë përdorimit të vetëm aspektit maskil të natyrës njerëzore duke e lënë mënjanë e të paushqyer anën feminile, e cila mundëson aspektet e buta, delikate, artistike e krijuese të jetës. Kjo bëri, që si standard të suksesit shoqëria të njihte eficiencën, falë të cilës u sigurua një lulëzim ekonomik mbresëlënës, por, kjo, jo pa çmimin brutal të transformimit të shoqërisë – duke e bërë njeriun instrument të procesit ekonomik, në vend që të ishte e kundërta. Secili prej nesh pra- nuk shihet dhe trajtohet si qenie njerëzore, por si një pjesëz që vë në lëvizje makinerinë, që ka vetëm qëllime ekonomike.

Pesha e parasë dhe e aseteve ekonomike, u shndërrua dhe vazhdon të jetë një kriter vlerësues, kur në të vërtetë, suksesi duhet matur me mundësinë që ofron për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës. Një rendje e tillë, ka bërë që edhe gratë të gjejnë si zgjidhje përshtatjen duke bërë jo rrallë, që ta shpalosin maskilitetin e tyre me doza më të forta e më të rënda se sa edhe vetë burrat!! Shoqëria ka humbur atë ndjesi përkujdesje dhe preokupimi, meraku dhe dashamirësie, keqardhje dhe interesimi, që burojnë vetëm nga elementet feminile, që gjenden te secili prej nesh. 

Realiteti i përditshëm, na përball me njerëz, që në më të shumtën zvarriten, bëjnë gjoja e me të shtyrë mezi arrijnë të përfundojnë diçka!! Kjo, sepse kryesisht, kooperojmë me njerëz, që mezi mundësojnë një jetesë, por që nuk jetojnë jetë!! Njeriu lind me instinktin e kuriozitetit dhe të nevojës për të gjetur kuptim. Në përgjigje të saj lindi dhe u zhvillua– ARSIMI, për të na ndihmuar dhe nxitur në zgjerimin e perceptimit se si, është ekzistenca. Në kushtet e avancuara të teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale – Arsimi po vihet përballë një pike kritike, që nuk do i mjaftonte NDRYSHIMI- por TRANSFORMIMI. 

Shkolla duhet të ndihmojë që Intelektin me të cilin është pajisur qenia njerëzore, ta përdori për të kërkuar të vërtetat jetike e për të ruajtur ekuilibrat natyrore. Zbulimi i këtyre të vërtetave të jep Qartësi e Qartësia Qetësi. Në fazën ku jemi, ne nuk mundemi ta ndryshojmë faktin, që ekonomia vazhdon të jetë faktori kryesor në jetën e secilit prej nesh- ama ne mund ta riorientojmë misionin e saj. Pjesëmarrja e gruas në këtë proces, duhet parë me shumë rëndësi, që të përcjellë natyrën e saj bazë: butësinë, finesën, ndjeshmërinë, duke ndihmuar kështu, që ekonomia, pra dhe shoqëria të bëhen më të buta, pra dhe më njerëzore. 

Kjo fazë e tanishme e zhvillimit njerëzor, me këtë shfaqje masive të femrës në çdo aspekt të jetës, duhet shfrytëzuar me maturi, për të mundësuar që në instancat drejtuese – kudo ku ka vendimmarrje, të ketë ekipe me pjesëmarrje femrash me femilitet e jo femrash në të cilat mbizotëron maskiliteti, me formën e imponimit, mbivënies, ngurtësisë, por dhe burrash që kanë ditur ta ruajnë e të shfaqin këtë ndjeshmëri dhe përkujdesje njerëzore. Aspirata jonë pra, nuk do duhet të jetë krijimi i një shoqërie qytetare, por më shumë se aq, krijimi i një shoqërie të mirë. Shoqëri e mirë është ajo në të cilën njerëzit trajtohen si qëllim njerëzor e si tërësi njerëzore e jo thjesht si një vegël, për qëllime të të tjerëve.

*Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, UT

/Ora News.tv/