Greqia dhe Itali kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e ZEE, duke finalizuar kështu kuadrin dypalësh të delimitimit të hapësirave detare.

Kjo marrëveshje që vjen pas pothuajse 43 vitesh është e rëndësishme për çdo shtet pasi u mundëson atyre ushtrimin e sovranitetit të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë me koordinata dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore.

Por çfarë do të thotë kjo marrëveshje për Shqipërinë, teksa jemi ende në procesin e bisedimeve me shtetin grek për ndarjen e ZEE-ve?

Në një intervistë për tirananews.al, Dr. Glevin Dervishi, një njohës i politikës së jashtme të Greqisë dhe si anëtar i ekipit shqiptar në negociatat dypalëshe thotë se kjo marrëveshje e arritur mes Greqisë dhe Italisë hap mundësinë që edhe vendi ynë të përfundojmë ndarjen e ZEE me Italinë, sepse në marrëveshjen e vitit 1992 me Italinë ne kemi delimituar vetëm Shelfin Kontinental.

“Përfundimi i procesit të delimitimit të hapësirave detare duhet të jetë një çështje e rëndësisë strategjike për Shqipërinë jo vetëm prej faktit që ndajmë qartë zonat me fqinjët, ushtrojmë sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane por është edhe në themel të politikës së fqinjësisë së mirë në kuadër të procesit të integrimit në BE, ndaj duhet të kapim ritmin duke gjeneruar konsensus kombëtar për çështje të tilla me interes strategjik”, - u shpreh Dervishi.

/Ora News.tv/