Gradat shkencore në sitë, arkivë dixhitale pranë MAS për Doktoraturat

Gradat shkencore në sitë, arkivë dixhitale pranë MAS

Gradat shkencore të akademikëve do të kalojnë në sitë. 

Për të adresuar kërkesën e studentëve për rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin e plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore, Qeveria miratoi sot vendimin "Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore".

Vendimi parashikon krijimin e arkivit dixhital të doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, pranë Ministrisë përgjegjëse për Arsimin.

Edi Rama: Gjatë verifikimit të kritereve të ligjshmërisë për të gjitha IAL-të në vend është konstatuar:

Mosrespektim të standardit të udhëheqjes 1 profesor jo më shumë se 5 doktorantë duke kaluar 1 profesor me 15 doktorantë mesatarisht. Madje gjetëm 1 profesor me 41 doktorantë.

Mosrespektim i afateve kohore në marrjen e titullit. Në Akademinë e Albanologjisë janë dhënë doktoratura të marra për tre muaj.

Nuk ka asnjë raport verifikimi të plagjiaturës.

Çfarë vendosëm sot: Për këtë çështje sot u Miratua VKM – Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore.

Si dhe u hap për konsultim publik draft ligji – “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Shpjegimi i vendimmarrjes:Krijimin e arkivit digjital të doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, pranë Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin.

Institucionet e Arsimit të Lartë si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njehsuar me origjinalin si dhe materialin në formë elektronike.

Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë nëpërmjet një softueri për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera.

Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.

Institucioni i arsimit të lartë, brenda 90 ditëve nga vënia në dispozicion të gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.

Kodi i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë, më poshtë Kodi i Etikës, përmban parimet dhe normat themelore të sjelljes së institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre si edhe personelit të tyre akademik a kërkues shkencor, konform Kodit Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.

Qëllimi i Kodit të Etikës është të kthejë në normë ligjore Kodin Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor dhe të shërbejë si një kornizë vetërregulluese për ushtrimin dhe mbajtjen e përgjegjësive ligjore, institucionale, profesionale, morale e shoqërore të institucioneve dhe të pjesëtarëve të komuniteteve akademike e shkencore.


Kodi i Etikës synon të ruajë, të garantojë dhe të mbrojë pastërtinë dhe integritetin akademik, profesional, institucional dhe moral të veprimtarisë akademike e kërkimore- shkencore në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare bashkëkohore të veprimtarisë akademike dhe të kërkimit shkencor.


Bordet e Universiteteve, shkarkohen anëtarët e emëruar nga MAS

Lidhur me kërkesën e pestë të studentëve, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin e të gjithë anëtarëve të bordeve të emëruar nga Ministria e Arsimit. Emërimet e reja do të bëhen më një proces të hapur dhe me vëmendje publike.

Edi Rama: Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

Situata aktuale: Sipas Ligjit, Bordet e Administrimit përbëhen nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme.

Anëtarët, përfaqësues të IAL-së, përzgjidhen nga Senati Akademik i IAL-së.

Anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe njësisë së qeverisjes vendore, janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike dhe emërohen përkatësisht nga ministri përgjegjës për arsimin dhe kryetari i njësisë së qeverisjes vendore.

Problematika: Bordet kanë pasur një profil të ulët publik, dhe roli i tyre nuk është i kuptuar mirë nga universiteti por edhe nga publiku.

Bordet megjithëse kanë përmirësuar ndjeshëm menaxhimin financiar të IAL-ve publike, nuk ia kanë dalë të ulin perceptimin e keq menaxhimit financiar në IAL. Studentët kërkojnë përfaqësim në Bordin e IAL-ve.

Çfarë vendosëm sot:Për këtë çështje sot është miratuar VKM “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit, në institucionet publike të arsimit të lartë përfaqësues të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin”.

Shpjegimi i vendimmarrjes: Shkarkimi i të gjithë anëtarëve të bordeve të emëruar nga Ministria e Arsimit.
Emërimet e reja të bëhen më një proces të hapur dhe me vëmendje publike.

Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR, të vijë propozim nga studentët, por të jetë figurë publike në përputhje me ligjin.

Senatet janë të lira ligjërisht që ndër vendet që ata kanë në borde të propozojnë një prej studentëve anëtarë senati, apo drejtues të Këshillit Studentor. Nëse kjo vendoset në Statutin e Universitetit, prezenca normohet definitivisht.

Afati i realizimit: Prill – Maj 2019.


Karta e studentit vitin e ardhshëm akademik

Sa i takon kërkesës së gjashtë të studentëve për pajisjen me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018- 2019 kjo gjë do të jetë e pamundur. Sipas Ramës, këtë shërbim do të mund ta marrin vetëm vitin e ardhshëm akademik.

Edi Rama: Shqipëria nuk ka traditë në ofrim të favorizuar shërbimesh për studentët. Ndaj nga Shkurti 2018 e në vazhdim ka pasur një sërë komunikimesh për këtë qëllim me Komisionin Europian, jo vetëm për përfshirjen e Shqipërisë në Kartën Europiane te studentit, por dhe për të siguruar një asistencë të vazhdueshme nga pala franceze për këtë projekt.

Në nëntor 2018, është lidhur marrëveshja dypalëshe nga QSHA dhe ekuivalenti i saj Francez në përgatitjen dhe implementimin e European Student Card në Shqipëri.

Problematika: Procesi ka kërkuar kohë për tu realizuar, pasi kërkohet përfshirja nga institucione vendore, qendrore dhe biznesi.Mungesa e përvojës dhe kulturës për shërbime të favorizuara për studentët.Mungesa e gatishmërisë së institucioneve për të mundësuar shërbime të dedikuara.

Cila do jetë zgjidhja: MASR do të bëjë publike marrëveshjet e lidhura dhe listën e shërbimeve që përfitohen nga studentët me entet shtetërore, Bashkitë dhe subjektet private.

Është duke u draftuar një udhëzues teknik për mënyrën e aplikimit dhe çështje të tjera teknike që kanë lidhje me formatin dhe të dhëna të kartës, aplikimin online, etj., i cili do të marrë formë ligjore pas përfundimit të softit për aplikimin e kartës.

Afati: Miratimi i 2 VKM-ve brenda Janarit 2019. Lëshimi i kartës për çdo student Shtator – Dhjetor 2019.


Brenda marsit nis funksionimi i Bibliotekës dixhitale

Lidhur me kërkesën e shtatë të studentëve e për ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe, Rama njoftoi se brenda muajit mars fillon funksionimi i bibliotekës dixhitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin.

Edi Rama: Deri më sot aksesi drejt librave dhe revistave shkencore ka qenë një veprimtari që është lidhur drejtpërsëdrejti me vendimmarrjen autonome të institucioneve të arsimit të lartë.

Mungesa e aksesueshmerisë drejt botimeve me të fundit shkencore ka sjellë dhe një kosto të shtuar ekonomike, pasi kjo mungesë e kthen në domosdoshmëri blerjen e librave dhe titujve fizike.

Çfarë vendosëm sot: Për këtë çështje është miratuar VKM “Për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe”; Duke hedhur kështu një hap të madh në përmirësimin e titujve akademik, ne IAL-të e vendit.

Cila do jetë zgjidhja: Brenda muajit Mars fillon funksionimi i bibliotekës dixhitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin.

Afati i realizimit: Maj 2019.


Pedagogët do vlerësohen nga sondazhi Kombëtar i Studentëve


Një tjetër kërkesë e studentëve, "vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve", ka marrë këtë zgjidhje.

Rama ka firmosur urdhrin për ngritjen e Grupit të Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, në mënyrë që të adresojnë në këtë Kod shumë nga shqetësimet e ngritura nga studentët.

Po sot, qeveria ka miratuar VKM “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet Sondazhit Kombëtar të Studentëve”.

Edi Rama: Në arsimin e lartë shqiptar është vendosur një standard i ri, të gjitha universitetet janë akredituar ndërkombtarisht nga Quality Assurance Agency, megjithatë sikundër u cilësua dhe në raportin e akreditimit të QAA, disa institucione publike të arsimit të lartë, nuk treguan seriozitetin e duhur në zhvillimin e procesit të akreditimit, kjo si pasojë e konflikteve të brendshme mes strukturave drejtuese, por edhe si rrjedhojë e mungesës së kulturës institucionale, të autoriteteve drejtuese të IAL-ëve, në raportimin e veprimtarisë së tyre.

Një tjetër hap i rëndësishëm në planin e vlerësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe performancës në arsimin e lartë është miratimi i Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë si përmbledhje e standardeve shtetërore për sigurimin e cilësisë. Ky kod është miratuar para pak kohësh nga Këshilli i Ministrave.

Çfarë vendosëm sot: Kam firmosur Urdhrin “Për ngritjen e Grupit të Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, në mënyrë që të adresojmë në këtë Kod shumë nga shqetësimet e ngritura nga studentët.

Gjithashtu sot është miratuar nga Këshilli i Ministrave edhe VKM “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet Sondazhit Kombëtar të Studentëve”.

Shpjegimi i vendimmarrjes: Aplikimi i instrumentit të kontrollit dhe vlerësimit studentor të performancës së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të personelit akademik përmes Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS).


Çfarë përmban Paketa 8+ e qeverisë

Edi Rama: Siç dhe kam deklaruar në disa takime, që sot ka një listë me çështje që shkojnë përtej 8 Pikave.
Këto pika nuk janë shteruese dhe të tjera do të shtohet gjatë muajit Janar pas një turi më shterues që unë vetë si dhe Ministrat e Qeverisë do të ndërmarrim në çdo IAL publike në vend.

Deri më tani pikat janë:

Punësimi i 1,000 studentëve ekselentë në administratën publike.

Për këtë çështje sot janë miratuar:VKM Për disa ndryshime në vendimin nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”, i ndryshuar

VKM - Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore pjesë e shërbimit civil, për vitin 2019

Kampusi i universitar i Tiranës:

Për këtë çështje sot kam firmosur urdhrin “Për ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e ngritjes dhe funksionimit te korpusit universitar të Tiranës.

Lidhja sistematike e IAL-ve publike dhe fakulteteve të tyre me ministritë e linjës, për të rritur:

Financimin nga Ministritë për Kërkim Shkencor;
Pajtimin e fakulteteve për ofrim shërbime konsulence ndaj Shtetit;
Krijimin e mekanizmave sistematikë, për praktika mësimore, stazhe dhe punësim të studentëve.

Krijimi i fondit të solidaritetit që do të synojë të dedikojë 20% të fondit të përgjegjësisë sociale nga kontratat koncesionare për arsimin e lartë.




EMISIONET