Gjykata i kthen SPAK dosjen 339: Duhet të përcaktohet roli i secilit nga të pandehurit

Gjykata i kthen SPAK dosjen 339: Duhet të përcaktohet roli i secilit

Gjykata  kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i ka kthyer për plotësim prokurorisë së posaçme njërin nga fraksionet e dosjes 339. Sipas gjykatës prokuroria nuk ka individualizuar akuzat për të pandehurit, referuar episodeve kriminale.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kthyer për plotësim hetimesh një pjesë të dosjes "339". Gjykata i ka dhënë SPAK 2 javë kohë për të saktësuar faktet për secilin prej të pandehurve. Bëhet fjalë për 25 të pandehur, mes të cilëve Avdylajt e Shijakut dhe të akuzuarit për laboratorin e drogës në Has. Sipas gjyqtares paraprake, Irena Gjoka, akuza e SPAK është e paqartë dhe ka nevojë për plotësim të hetimeve.

Gjykata ka konkluduar se prokuroria nuk ka individualizuar akuzat për të pandehurit, referuar episodeve kriminale. Dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kërkuan që dosja të kalojë për gjykim pasi sipas tyre janë të gjitha faktet dhe provat për të vërtetuar akuzat ndaj tyre. Ndërsa avokatët e çështjes kërkuan pushim të hetimeve për disa nga këto të pandehurit që sipas tyre nuk kanë asnjë lidhje me akuzat.

Në përfundim gjyqtarja Gjoka vlerësoi ti lërë dy javë kohe prokurorëve për të bërë saktësimet në dosje.

Mes të akuzuarve të këtij procedimi janë edhe Astrit Balliu (alis Avdyli,Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka.  Ata akuzohen se kanë kryer trafik narkotikësh, përpunim e magazinim drogë në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, por edhe “Pastrim të produkteve të veprës penale’’, në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim. Ndërkohë që nga përgjimet e kryera për këtë dosje ka dale ne drite edhe përfshirja e disa prej të akuzuarve ne sigurimin e votave për zgjedhjet vendore në Durrës.

EMISIONET