Gjoka sfidon Skënderbeun, Rama: Jap më të mirën për të ndihmuar skuadrën

Gjoka sfidon Skënderbeun, Rama: Jap më të mirën për

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka doli në konferencën për shtyp në prag të gjysmëfinales së kthimit me Skënderbeun. Para gazetarëve, tekniku kryeqytetas analizoi gjendjen e ekipit të tij dhe foli për pritshmëritë në Korçë. Gjoka e pranoi se i pret një ndeshje e vështirë, por theksoi se Kupa e Shqipërisë është prioritet për verilindorët.

"Sigurisht ndeshja është e hapur se edhe rezultati i ndeshjes së parë i jep shpresë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Ne do të mundohemi dhe të bëjmë detyrat tona për ta kaluar si ndeshje. Por, sigurisht kundrejt Skënderbeut, një emër i madh për futbollin shqiptar ka gjithmonë problemet e veta si ndeshje. E rëndësishme është që në këtë ndeshje të ruajmë qetësinë Duhet të jemi shumë të saktë nga ana e disiplinës taktike dhe t'i godasësh në momentin që duhet. Unë shpresoj dhe mendoj se nëse ne do të plotësojmë detyrat, të dalim aty ku ne kërkojmë. "-tha fillimisht tekniku.

Gjithashtu Gjoka foli edhe për binomin Reginaldo-Shkurtaj, të cilët i konsideron lokomotiva e  Kukësit.

"Unë jam i mendimit se Kukësi ka dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri. Plus edhe Valdet Ramën që është një aset i Superligës shqiptare dhe vazhdoj të këmbëngul që dy sulmuesit kanë arritur të shënojnë gola. Këto sulmues shënojnë dhe janë lokomotiva e skuadrës. Unë mendoj se kam një skuadër që ka cilësi në sulm dhe që di të zgjidhet në fushë. "-shtoi Gjoka.

Pjesë e konferencës ishte edhe sulmuesi Valdet Rama. Ish-futbollisti i kombëtares ka qenë jashtë fushave për disa ndeshje për shkak dëmtimi, por tani thotë se e ka kaluar dëmtimin.

"U ktheva në formën time më të mirë dhe më pas pësova sërish një lëndim. Do mundohem që të kthehem sa më shpejtë në formë. Jam i gatshëm që të ndihmoj skuadrën. Skënderbeu është një skuadër e fortë, por ne jemi të përgatitur. Unë e kam për detyrë që të ndihmoj skuadrën."-tha mes të tjerash Rama.

Skënderbeu-Kukësi luhet këtë të mërkurë në orën 17:00 në Korçë.

EMISIONET