Gjici i vendos ultimatum Kukësit dhe Shpëtim Duro

Gjici i vendos ultimatum Kukësit dhe Shpëtim Duro

Kukësi ka zhgënjyer në fazën e parë të Superiores, duke lënë pikë rrugës dhe për pasojë rendiment e pozita jo komode në klasifikim.

Pas humbjes në Laç, trajneri Shpëtim Duro është në rrezik dhe nëse nuk e kthen Kukësin "në shina" do të jetë e vështirë të qëndroj në krye të klubit.

Presidenti, Safet Gjici nuk e ka kapërdirë dot humbjen me rezultatin minimal 1-0 në Laç dhe ka vendosur ultimatum për stafin teknik. Ai kërkon katër fitore në katër ndeshjet e radhës, ndryshe do të marrë masa ndaj trajnerit, por edhe lojtarëve.

Mësohet se të gjithë rrezikojnë dhe për më tepër disa lojtarë nuk do të marrin pagën nëse vazhdojnë të shfaqin një formë të dobët.

Pauza e ndeshjeve për kombëtaret është frymëmarrje për stafin teknik që ta përgatisë me qetësi ndeshjen e radhës me Bylisin. Por në të njëjtën kohë do të kthehen edhe disa lojtarë të rëndësishëm që kanë munguar për shkak dëmtimesh, si Vasil Shkurtaj dhe Kristal Abazaj.

Kukësi ka një kalendar ferri në javët në vijim. Fillimisht do të presë Bylisin, më pas do të ndeshet me Tiranën në stadiumin "Selman Stërmasi" dhe me Teutën në shtëpi.

Në xhiron e 16 të Superiores udhëton në Shkodër, ku do të sfidojnë Vllazninë në "Loro Boriçi". Pas javës së 12-të, Kukësi pozicionohet në vend të pestë në klasifikim me 18 pikë, 4 më pak se Partizani kryesues.

Interesant është fakti se ekipi i Duros me rivalët direkt ka rezultate pozitive, duke i marrë 4 pikë "demave të kuq", por kanë gabuar me kundërshtar të lehtë në letër. Objektivi 12 pikë në 4 ndeshje është sfidues për Duron, por do të shihet se si do ta menaxhojë.

EMISIONET