Gjermania drejt vendit në Këshillin e Sigurimit

Gjermania drejt vendit në Këshillin e Sigurimit

Gjermania kishte si konkurrencë Izraelin në përpjekjen për të fituar një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Tani Izraeli tërhiqet papritur. Më 8 qershor jepen fituesit e vendeve për vitin 2019-2020.

Gjermania nuk ka për ta pasur si vend rival Izraelin në përpjekjen për një vend në Këshillin e Sigurimit. Izraeli tërhiqet. Për dy vendet e lira në Këshillin e Sigurimit tani konkurrojnë dy vende, Belgjika dhe Gjermania. Të dy kandidatët duhet të marrin shumicën prej dy të tretat të Asamblesë së Përgjithshme. Zgjedhja konsiderohet e sigurtë. Që nga anëtarësimi i Gjermanisë në OKB, Republika Federale ka qenë gjashtë herë e përfaqësuar në instancën më të fuqishme të Kombeve të Bashkuara. Së fundmi në vitet 2011-2012.

Përfaqësia izraelite në OKB bëri të ditur se Izraeli po e „shtyn" kandidaturën. Vendimi është marrë në konsultim „me partnerët tanë përfshirë edhe miqtë tanë", thuhet, duke theksuar se „Izraeli do të vazhdojë të këmbëngulë për të praktikuar të drejtën e tij për pjesëmarrje të plotë në proceset e vendimmarrjes të Kombeve të Bashkuara."

"Besojmë në rolin e Kombeve të Bashkuara"

Detaje të tjera nuk u bënë të ditur nga pala izraelite. Por shanset për një vend jo të përhershëm në KS konsideroheshin që në fillim si mjaft të ulta. Shtetet arabe kishin filluar të bënin fushatë agresive kundër një vendi për Izraelin në Këshillin e Sigurimit. Ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen dhe kolegu i tij belg, Marc Pecsteen iu përgjigjën të premten pyetjeve për kandidaturën në një seancë të OKB-së. „Ne besojmë tek Kombet e Bashkuara, tek institucionet e saj, ne besojmë në rolin e Këshillit të Sigurimit", tha Heusgen. OKB mund të jetë „një ombrellë e rendit botëror".

Krahas pesë anëtarëve të perhershëm të KS, SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani e Madhe, që kanë të drejtë vetoje, zgjidhen nga Asambleja e Përgjitshme edhe 10 shtete të tjera për dy vjet në këtë instancë. Në qershor do të hyjnë kështu në KS pesë anëtarë të rinj. Përveç Gjermanisë e Belgjikës, për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit konkurrojnë edhe Afrika e Jugut, Republika Domenikane. Nga grupi rajonal aziatiko-paqësor konkurrojnë Indonezia dhe Maledivet./DW

EMISIONET