Policia gjermane thotë se ka arrestuar dy shtetas kosovarë, pasi dyshohet se janë autorë të vrasjes me armë zjarri të një personi me kombësi serbe dhe plagosjen e një tjetri.

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare në Abensberg.

Viktima është një 39-vjeçar, ndërsa i plagosuri 46 vjeç. Sipas policisë gjermane, autorët e dyshuar janë 30 dhe 41 vjeç, të cilët gjatë arrestimit nuk bënë rezistencë.  

Dy të dyshuarit fillimisht u larguan nga vendi i ngjarjes, por më pas u arrestuan në një furgon, të parkuar në një pronë në Abensberg.

Pas arrestimit, policia i sekuestroi edhe armën e krimit.

Ende nuk dihet shkaku i ngjarjes, por mendohet se autorët kishin njohje me viktimën dhe të plagosurin.

Policia kërkon ndihmën e dëshmitarëve të ngjarjes, për të zbardhur rrethanat e krimit.

(NJOFTIMI I POLICISE GJERMANE)

/Ora News.tv/