Gazetari dhe redaktori i lajmve në RTV Ora, Trashgim Sokolaj thotë se Prokurori Arjan Ndoj ka arrestuar persona që kanë dalë të pafajshëm.

I ftuar në studion e  lajmeve, ai tha se Ndoj është një prokuror që ndryshe nga kolegët e tij ka dalë nga korniza që duhet të qëndrojë një prokuror. Madje gazetari shkon më tej, duke thënë se ai ka luajtur rolin e interlokutorit deri në deputetë apo pushtetarë të ndryshëm.

Pjesë nga biseda në studio

Sokolaj: Prokurori Arjan Ndoj ka pasur ulje-ngritjet e tij në detyrë, në raportet e tij me detyrën dhe sistemin e drejtësisë. Është një prokuror që është larguar nga detyra për problemet me dosjet që kishte hetur për problemet me pasurinë. Është një prokuror që ka bërë një betejë disa vjeçare me ish-eprorin e tij Theodhori Sollakun dhe më pas është emëruar në detyrë nga Ina Rama në janar 2008. Është një prokuror që në informacionin që kam në ndryshim nga kolegët e tij është dalluar për dalje të herë pas hershme nga korniza që duhet të qëndrojë një prokuror. Është një prokuror që ka luajtur rolin e interlokutorit deri në deputetë apo me pushtetarë të ndryshëm, lerë më pastaj për biznesmenë në rastin e Durrësit. Ajo që është problematike në këtë rast është kontakti i këtij prokuror me një person të skeduar për vepra penale, aq më tepër vepra që futën në kategorinë e krimeve të rënda.

Për shkak të këtij begraundi që Ndoj ka,qeveria ka vendosur të lëshojë të gjithë arsenalin që ka. Mos harrojmë që pretendimi i kryeministrit dhe zv/kryeministrit ka qenë që hetimi që zotëria ka filluar për Kadastrën e Durrësit ka qenë pa kallëzim dhe ka qenë një hetim me kallëzim jo të rremë, por anonim. Zotëria ka shkruar në dosje që hetimin e ka nisur me informacione të ardhura nga drejtoria e policisë durrës me datën 21 shtator. Unë e kam parë atë dosje dhe nuk ka një emër personi që bën kallëzim në lidhje për konfliktin e tre parcelave të pronësisë që zotëria po hetonte.

Abilekaj: Problemi është çfarë e shqetëson qeverinë këtu?

Sokolaj: Në këtë rast Rama po thotë një gjysmë të vërtetë. Që pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi niveli i korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është trefishuar. Ky ndoshta është efekti që ai zotëria aty kryeministri nuk e ka ditur, ndërkohë  ju shet çdo ditë shqiptarëve me reformën. Ai është në atë pozicion që duhet ti dijë gjërat. A ju ka rënë në sy fakti që gjatë vitit të fundit janë liruar nga burgjet elementë të krimit të organizuar, personazhe të njohur të viteve 90?! Pra kemi prokurorë dhe gjyqtarë që janë koshientë që nuk e kalojnë vettingun dhe që  marrin shuma deri në 200 mijë euro për të liruar këta njerëz nga burgjet, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore.

Abilekaj: Pse ka folur kryeministri ndonjë fjalë për këta?

Sokolaj: Nuk e di, por problemi është që ai po thotë një gjysmë të vërtetë

Abilekaj: Kryeministri që po masakron një njeri vetëm se hapi  një çështje ndaj një zyrtari, ka folur ndonjë fjalë për lirimin e këtyre që po thoni juve?

Sokolaj: Unë di raste konkrete që Arjan Ndoj ka arrestuar persona që kanë dalë të pafajshëm.

Abilekaj: Pra ti po justifikon sulmin e kryeministrit?

Sokolaj: Jo nuk po justifikoj sulmin e kryeministrit, por unë dua të them të vërtetën.


/Ora News.tv/