Gaz lotjsellës për protestuesit kundër marrëveshjes Athinë-Shkup

Gaz lotjsellës për protestuesit kundër marrëveshjes

Policia greke ka përdorur gaz lotsjellës kundër turmës që protestonte kundër nënshkrimit të marrëveshjes Athinë-Shkup.

Protestuesit ishin tubuar rreth 30 kilometra larg vendit ku u zhvillua ceremonia e nënshkrimit. Por ata tentuan disa herë që të mposhtnin kordonat e policëve dhe të niseshin për në fshatin Psaras të Prespës, ku ndodheshin dy delegacionet dhe mysafirët ndërkombëtarë.

Por çdo tentativë e tyre u ndalua me forcë si dhe me hedhje të gazit lotsjellës.

Siç raportohet, mjaft prej protestuesve patën probleme me frymëmarrjen, ndërsa dy të plagosur janë dërguar në spital.

Disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, reagimet nga politika greke janë ende të pakta. Ndoshta pse gjithçka u konsumua në debatin e zjarrtë parlamentar që përfundoi të shtunën në mbrëmje, me rrëzimin e mocionit të mosbesimit kundër qeverisë së kryeministrit Tsipras.

Partia më e madhe opozitare, Demokracia e re, deklaroi se marrëveshja që u nënshkrua të dielën paradite “dëmton interesat kombëtarë të Greqisë”. “Nuk mund të pranojnë identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Si guxoi qeveria e sotme ta pranojë. Ky nuk është kompromis, është nënshtrim ndaj pikëpamjeve të palës tjetër”, deklaroi Takis Theodorikakos, Shefi i departamentit të strategjisë në Demokracinë e Re.

Ndërsa Vasilis Levendis, kryetari i partisë Unioni i Qendrës, që ka dhjetë deputetë në parlament, ka sulmuar ashpër kryeministrin dhe ministrin e jashtëm, duke theksuar se “fajtorët do të ndëshkohen nga populli”.

“Aleksis Tsipras, nuk thirri këshillin e liderëve politikë, nuk mori leje nga parlamenti, po shkoi në Prespë dhe vuri një firmë, duke injoruar vullnetin e popullit grek”, nënvizon Levendi.

EMISIONET