Gajo: 3 mujori i dytë do jetë periudha më e vështirë për biznesin, ekonomia kontrollohet si në feudalizëm

Gajo: 3 mujori i dytë do jetë periudha më e vështirë

Indeksi i besimit të bizneseve amerikane që operojnë në Shqipëri ka shënuar uljen më të thellë të 8 viteve të fundit. Kreu i dhomës amerikane tha se korrupsioni, klima politike dhe monopolet kanë sjellë një klimë të përkeqësuar të të bërit biznes.

Në një intervistë për Ora News, eksperti i ekonomisë Albert Gajo tha se indeksi i konfidencës së biznesit ka rënë dhe 3 mujori i dytë i këtij viti do të jetë një nga periudhat më të vështira për ekonominë.

Albert Gajo: ''Këtu ndërthuren faktorë të cilët nuk lidhen thjesht me faktorin e Covid, por ka edhe faktorë të tjerë industrialë, institucionalë të cilat i ka theksuar jo vetëm ky raport por edhe anketa të tjera. Indeksi i konfidencës së biznesit i treguar në këto momente tregon që biznesi nuk është mirë sepse indeksi i konfidencës së biznesit tregon se si do të jetë perspektiva e biznesit të paktën në 3 mujorin e ardhshëm. Do të jetë një nga periudhat më të vështira, do jetë edhe më e vështirë sigurisht 3 mujori i dytë, sepse megjithëse pandemia dhe masat shtrënguese kanë rënë, konfidenca e biznesit ka rënë.''

Gajo thekson faktin se Shqipëria duhet ta kishte përfunduar tranzicionin dhe të kishte kaluar në ekonomi tregu. Por sipas tij, ndodhemi në një tranzicion si në kohën e feudalizmit, ku qeveria po kontrollon gjithçka në ekonomi.

Albert Gajo: ''Nëse ne gjithmonë i referohemi raporteve të institucioneve prestigjoze, tregon që Shqipëria nuk po bën hapat e duhura në këtë lloj tranzicioni. Shqipëria duhej të kishte përfunduar tranzicionin nga një shoqëri e centralizuar në një ekonomi tregu, ku tregu të kryejë funksionet normale dhe qeveria të kryejë ato funksione për të cilat është dizenjuar t'i kryejë. Fakti që ne po vazhdojmë akoma tranzicionin, tregon që ne po shkojmë në një tranzicion tjetër, ndoshta drejt një tranzicioni me një shoqëri feudale. Feudalizmi në lidhje me kontrollin e plotë që kryen qeveria në drejtim të organizimit të biznesit, dhe të organizimit të mënyrën se si duhet të kontrollojë pasuritë natyrore, si të kontrollojë tokat, dhe të rishpërndarjes të atyre që ne e quajmë monopole, ose partnetiteti publik privat që po shtrihet në çdo sektor të vendit. Këto janë karakteristikat në të cilat u zhvillua feudalizmi.''

Intervistoi në studio Siklajda Shorja, përgatiti për online Renato Çaushi.

EMISIONET