Prokuroria Speciale e Hagës, e cila heton krimet e luftës ka kërkuar marrjen në pyetje Ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Azem Syla. Ai është funksionari i katërt nga radhët e UÇK, pas Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut dhe Rustem Mustafës, që merret në pyetje.

Lajmi është konfirmuar për mediat nga Syla dhe avokati i tij Besnik Berisha. Megjithatë ende nuk janë të qarta pyetjet që do ti drejtohen ish-komandatit  të UÇK-së

“Nuk e dimë as në çfarë cilësie është ftuar dhe as për datat e sakta sepse hetuesit po koordinojnë veprimet dhe detajet e ftesës me Dhomat e Specializuara”, është shprehur për mediat Berisha.

Deri më tani, Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Hagë ka ftuar për intervistim rreth 100 personalitete, ish-figurat të larta të UÇK-së, të cilët janë dhe pjesë e skenës politike. Ramush Haradinaj ishte politikani I fundit që u thirr në zyrat e Speciales, çka solli dhe dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar hetojnë krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimeve tjera që lidhen me krimet e pretenduara që mund të kenë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

/Ora News.tv/