Për një ore pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë bojkotuar mësimin. Ata kundërshtuan vendimin e qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të qëndrimit.

Zgjodhën të bojkotonin një orë mësimin për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Për pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës vendimi është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë. Pedagogu Aleksandër Petre thotë se kjo hapësirë duhet të jetë në shërbim të procesit mësimor-shkencor.

Aleksandër Petre: Kopshti botanik është ndërtuar si laborator kërkimor shkencor pranë Fakultetit të Shkencave që në 1965 dhe duam që kjo trashëgimi të vazhdojë. Ne protestojmë në dy pika: Pse nuk u pyetëm, cila është rruga që është ndjekur për këtë ndryshim administrimi.

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universitetit të Tiranës, Qazim Latja njofton se të martën stafi akademik, mbështetur dhe nga studentë do të organizojë një marshim protestë.

Qazim Latja: Do marshojmë nga FSHN drejt Gjykatës së Apelit ku do të presim në mendjen tonë një vendim të drejtë.

Nëse në 29 tetor Gjykata Administrative e Apelit nuk do të marrë një vendim në favor të Universitetit të Tiranës, pedagogët paralajmërojnë përshkallëzim të qëndrimit të tyre.

/Ora News.tv/