FSHF i përgjigjet Erjon Braçes: Shitja e emrit të stadiumit garanton të ardhmen e tij

FSHF i përgjigjet Erjon Braçes: Shitja e emrit të stadiumit

Nxjerrja në ankand e emrit të impiantit që po ndërtohet në rrënojat e stadiumit legjendar "Qemal Stafa" ka ngjallur reagimin e opinionit publik, ku veçohet ai i zëvendës-kryeministrit të vendit, Erjon Braçe.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, numri dy i Qeverisë shqiptare ka ngritur pyetjet se pse duhet të shitet emri i stadiumit, pasi siç ndodh edhe nëpër botë, shumë klube dhe impiante kombëtare nuk e kanë shitur emrin.

Një status që ka marrë reagimin e menjëhershëm të FSHF-së. Institucioni më i lartë i futbollit në vend ka pohuar se njoftimi për të kërkuar një sponsor për stadiumin e ri është për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale. Sipas FSHF-së ndëtimi i impiantit i ka kushtuar shtrenjtë arkave të tyre dhe për këtë, sponsori i ri do të punojë për ta mirëmbajtur dhe për ta "shitur" impiantin në arenën ndërkombëtare, pasi siç ndodh edhe me emra si "Old Trafford" apo dhe "Anfield Road", emri i stadiumit shet më shumë se sponsori.

"Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për Stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar.

"FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërine e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe Tottenham. Ekspertët vlerësojne që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, “shet” më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:

"Amex Stadium- Brighton, Etihad Stadium – Manchester, Emirates Stadium – London, Allianz Arena – Munich, Mercedes-Benz Arena – Stuttgart, Orange Velodrome -Marseille, MetLife Stadium – Neë Jersey USA, FedExField – Maryland USA, Bank of America Stadium – North Carolina USA, AT&T Stadium – Texas, Gillette Stadium – Massachusetts USA

"Stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij, do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”, siç e sqaruam me shembujt e mësipërm. Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara “tifozo-pushtetare”, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e rradhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike.

Por pavarësisht kësaj ne garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proçes do të zhvillohet, për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë, një impiant modern dhe me vlera si Stadiumi i Ri.

Bardhyl Minxhozi

Administrator i stadiumit"-mbyllet reagimi i FSHF-së.

Kujtojmë që për impiantin që po ngrihet në gërmadhat e stadiumit legjendar "Qemal Stafa", FSHF ka kërkuar një shumë prej 3 milionë eurosh për 5 vitet e ardhshme, pra rreth 600 mijë euro në vit.

EMISIONET