Fshati në Mirditë i pabanueshëm nga rrëshqitjet, prefekti: Banorët të ikin!

Fshati në Mirditë i pabanueshëm nga rrëshqitjet, prefekti:

Fshati Blinisht i Mirditës është i pabanueshëm nga rrëshqitja e tokës që vijon prej 4 ditesh, ndaj asnjë banor nuk duhet të qëndroje në këtë zonë, pasi ju rrezikohet jeta.

Kështu u shpreh prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi, pas inspektimit të situatës në terren, ku deklaroi se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.

Gjergj Prendi: Rrëshqitje masive, janë shembur shumë shtëpi, rreth 7 janë bërë gërmadhë, 15 të tjera janë shkatërruar dhe janë të pabanueshme. Është ndërprerë energjia elektrike, fatmirësisht nuk ka viktima. Absolutisht fshati është i pabanueshëm. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që banorët të afrohen afër shtëpiave sepse rrezikohet jeta e tyre. Ky fshat është absolutisht i pabanueshëm. 

Ai shtoi se po punohet për mbajtjen hapur të Rrugës së Kombit, si riparimin e segmentit rrugor Reps-Shpal.

Gjergj Prendi: Do të jap urdhër urgjent që të hapet rruga, të mbushet pjesa e magjistralit që lidh Repsin me Fushë Arrëzin, ajo pjesë që është ulur rreth një metër të mbushet me dhe dhe të hapet urgjent. Për fat të mirë dhe reshjet kanë pushuar dhe rruga do të hapet urgjent. Rreziku është evident, edhe Rruga e Kombit mund të bllokohet. Kemi marrë të gjitha masat ne dhe firma kontraktore, sido që të jenë rrëshqitjet rruga do të jetë e hapur.

Banoret e Blinishtit tregojnë momentet kur kanë nisur rreshqitjet e tokës, ndërsa thonë se në një hark kohor mjaft të shkurtër u shkatërrua gjithçka.

Banori: Fillimisht filluan të largohen shtyllat e dritave nga njëra-tjetra.Janë këputur telat.Kur shkuam të shohim pamë që ishte hapur toka, e kuptuam që po rrëshqet. Njoftuam organet kompetente. Nga frika se do të shembet shtëpia dola nga shtëpia dhe ika në një shtëpi tjetër.Nga momenti që ka filluar deri tani ka filluar rrëshqitja masive edhe 100 metra më larg.

Duke nisur nga dita e hënë, Bashkia Mirditë do të nisë punen në terren për verifikimin e dëmeve të shkaktuara, pasi shumë banesa në këtë fshat janë shembur plotësisht nga erozioni.

 

 

 


EMISIONET