Briken Calja do të jetë pjesë e Bundesligës gjermane të peshëngritjes.
Është vetë peshëngritësi shqiptar që e ka bërë një njoftim të tillë, ku përmes një story në "Facebook", ka konfirmuar firmën.
Pak ditë më parë, kampioni i shtangës kuqezi shkëlqeu në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Pattaya të Tajlandës. Ndonëse, Calja përballej me kundërshtarët më të fortë të Botës, shqiptari u tregua fantastik. 29 vjeçari u rendit i treti në stilin e shkëputjes me peshën deri në 73 kilogramë.
Në këtë stil, Calja ngriti lart 156 kilogramë duke marrë medaljen e bronztë. Ndërsa në stilin e shtytjes, ai u klasifikua në vendin e 13-të me 181 kilogramë dhe për pasojë u rendit i 5 në dygarësh. Me këtë paraqitje, Calja siguron kualifikimin në Lojërat Olimpike, Tokyo 2020.
/Ora News.tv/