Një 45-vjeçar i kërkuar për trafik droge është arrestuar në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit".

Në pranga u vu Gazmir Mehmetaj, 45 vjeç, lindur në Treblovë dhe banues në Vlorë. 

Policia sqaron se "ngjarja i referohet një procedimi penal në vitin 2013, ku bëhet fjalë për konstatimin e një sasie lënde narkotike në "Luginën e Vilunit" Shkodër."

"Kapja e tij u bë në lagjen "Pavarësia" Vlorë, në kuadër të kontrolleve si dhe mbi  bazën e informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë", thuhet në njoftimin e policisë.

Për 45-vjeçarin është caktuar masa e sigurimit personal "Arrest me burg" për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/Ora News.tv/