"Fati i lojrave": Kontrolle blic në 8 qarqe, 115 të arrestuar sekuestrohen miliona lekë

"Fati i lojrave": Kontrolle blic në 8 qarqe, 115 të

Një operacion masiv në shkallë vendi kundër lojrave të fatit dhe basteve sportive pa leje u ndërmor   mbrëmjen e djeshme në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League

Operacioni policor i koduar "Fati i lojërave” vuri në pranga në flagrancë 115 persona, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.  Ndërsa janë sekuestruar 172 milion lekë të vjetra kompjutera  të lojërave të fatit, dhjetëra aparatë celular e aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e këtij aktiviteti kriminal.

“Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme që sipas parashikimeve të Kodit Penal dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg” informoi drejtori i policisë së Shtetit Ardi Veliu, në një dalje për median.

Operacioni u ndërmor në 8 qarqe të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër.

Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Tiranë- Kontrollet në Tiranë ku ushtrohej kjo veprimtari kriminale janë bërë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Në kryeqytet u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.

“Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale” deklaroi drejtori i policisë.

Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit:  T. A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës.

Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra.

Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.

 Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra.

Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.

1540 forca policore –  “Gjatë operacionit  u përfshinë 1540 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.

Operacioni në shifra 

Në total janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

Hetimet- Operacioni vjen pas një pune hetimore  që ka zgjatur 7 muaj dhe është finalizuar mbrëmë me operacionin masiv në shkallë vendi. Qytetarë të shumtë kishin denoncuar këtë aktivitet të paligjshëm.

Operacioni u realizua nga  nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.

EMISIONET