Flamurtari ndodhet në një situatë kritike në klasifikim dhe me këtë ritëm mbijetesa duket një mision shumë i vështirë. Pas 8 ndeshjeve të para kuqezinjtë kanë vetëm dy pikë në renditje dhe gjithçka bëhet më e vështirë për stafin teknik.

Të mërkurën vlonjatët presin Vllazninë, një kundërshtar i fortë që ka bërë mirë në javët e para dhe kërkon kthesën pas disfatës me Partizanin.

Traineri, Dritan Sadedini duke vlerësuar kundërshtarin thotë se Flamurtari do të synoj fitoren e parë në kampionat.

"Në stërvitjet e fundit, ekipit i kam kërkuar që të vendos shpirtin, të vë zemrën, të vë karakterin se janë disa ndeshje në futboll që lozen me shpirt dhe karakter, plus anën teknike-taktike që e kemi folur. Shpresojmë që çunat të përgjigjen sa më mirë dhe ndeshja të jetë në favorin tonë. Në futboll dhe më i dobëti dhe më i fundit kërkon që të marrë 3 pikët. Barazimi është gjithmonë një vlerë e shtuar e pikëve, por që thashë që çdo ekip, ndër më të dobëtit shkon për fitore. Në futboll lozet për fitore vetëm" tha Sadedini.

Me përjashtim të grekut, Sarris që mbetet në dyshim, trajneri Sadedini ka në dispozicion të gjithë skuadrën për sfidën me Vllazninë që do të zhvillohet në orën 16:00 të mërkurën.


/Ora News.tv/