Flamurtari e nis nga stoli, rikthen ish trajnerin e Kukësit e Laçit

Marcello Troisi do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit.

Braziliani ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit, duke bërë një rikthim sensacional në Vlorë. Palët kanë biseduar prej ditësh për çështjen e kontratës dhe në fund duket se gjërat janë mbyllur pozitivisht.

Për herë të fundit, Troisi është parë në Vlorë ditën e vitit të ri, ku ka darkuar me drejtuesit dhe lojtarët e ekipit. 43-vjeçari është një emër i njohur për Kategorinë Superiore. Më parë, Troisi ka drejtuar skuadra si Kukësi dhe Laçi. Në të dy rastet, braziliani nuk ka marrë atë që pritej, megjithatë e njeh mjaft mirë ambientin.

Së fundmi, Troisi ka drejtuar në Greqi te skuadra e ligës së katërt, GAS Ialysos. Flamurtari ndodhet në një pozitë shumë të vështirë në klasifikim. Kur janë mbyllur thuajse dy fazat e para, kuqezinjtë numërojnë 6 pikë, duke u pozicionuar në vendin e fundit.

Në këtë mënyrë, Troisi do të ketë detyrën e vështirë, regjistrimin e fitores së parë me Flamurtarin, si dhe shpëtimin e një prej skuadrave që ka bërë historinë e futbollit shqiptar.

EMISIONET