Fitoi titullin, skuadra shqiptare nis bashkëpunimin me gjigantin kroat

Fitoi titullin, skuadra shqiptare nis bashkëpunimin me gjigantin kroat

Fitorja e titullit ka entuziasmuar së tepërmi drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës, që pas marrjes së titullit kanë nisur të hedhin piketat për të ardhmen. Vëmendjen kryesore do e ketë akademia dhe për këtë fakt, drejtuesit e kuqezinjve kanë nisur kontaktet e para me një prej akademive më të mira në rajon. Mbrëmjen e djeshme, presidenti i klubit, Visar Bexheti ka pritur disa trajnerë të Akademisë së Dinamo Zagrebit.

Klubi i Futbollit Shkëndija në të ardhmen synon ndërtimin e një Akademie profesionale që do të zhvillojë talentët e reja në futbollistë cilësorë dhe modeli më i mirë për tu ndjekur në rajon padyshim që është Dinamo Zagrebi. Gjigandi kroat posedon shkollën më të mirë të futbollit në ish-Jugosllavi, ndërsa emri i tyre figuron në "top 5" Akademitë më të suksesshme në Europë.

Në këtë drejtim, duke shfytëzuar qëndrimin e tyre në Tetovë si mysafirë të Universitetit Shtetërorë të Tetovës, Shkëndija ka pritur në zyrat e klubit trajnerët e Akademisë së Dinamo Zagrebit, duke hedhur hapin e parë drejt nisjes së bashkëpunimit më të ngushtë mes dy klubeve.

Presidenti Bexheti bashkë me drejtorin e shkollës së moshave të Shkëndija, Erhan Selimin, koordinatorin Vedut Rustemi dhe trajnerin kondicional, Metin Dalip pritën trajnerët e Dinamo Zagrebit, Krešimir Šoš, Tamara Despot dhe Davorin Antoniç. Temë kryesore në këtë diskutim ishte mënyra e funksionimit dhe punës që bëhet me moshat e reja te skuadra kroate.

Bashkëpunimi mes dy palëve do të vazhdojë gjatë ditës së sotme kur kroatët do të asistojnë në një seancë stërvitore me gjeneratat U-15 dhe U-16 të Shkëndijës në demonstrimin praktik të metodave të punës që përdoren te Dinamo Zagrebi, ndërsa para trajnerëve të shkollës së futbollit të Shkëndijës do të mbajnë orë teorike me shpjegime rreth procesit stërvitorë që praktikohet te kjo Akademi e suksesshme.

EMISIONET