Fermerët e Myzeqesë protestë, duan subvencion 10 lekë për çdo kg

Fermerët e Myzeqesë protestë, duan subvencion 10 lekë

Në kushte aspak të favorshme të motit, fermerët e Myzeqesë e zhvilluan në Tiranë protestën e tyre të katërt.

Para Ministrisë së Bujqësisë ata ngritën shqetësimet që ua vështirësojnë përditshmërinë, ndërsa shpalosën edhe 5 kërkesa.

“Ne kërkojmë që pasi fermeri të paraqesë faturën që ka shitur mallin te tregtari ta subvencionosh direkt. 

Kërkesa e dytë rregulloni mekanizmin e TVSH-së. I kërkojmë qeverisë që investojë për laburatorë për të bërë analizat e produkteve tona, janë apo jo të kontaminuara. 

Askush nuk i orienton fermerët. Fermerët kërkojnë shërbimin e seksionit të garantuar me ligj. Duam një laborator për analizat e tokës”, shprehen fermerët.

Një pjesë prej tyre janë detyruar t`u drejtohen bankave dhe të marrin kredi. Lekët që kanë shpenzuar në sera nuk kanë mundur t`i marrin mbrapsht, pasi prodhimi u ka mbetur pa shitur.

“Nuk ekmi të ardhura më. Bankat duan lekë. Jemi me kredi.”

Fermerët thonë se nuk kanë përfituar nga subvencionet pasi e kanë të pamundur të plotësojnë kriteret e vendosura nga qeveria.

“Unë me 1 ha sera jam 30-40 milion minus. Si mund t'i marrim subvencionet kur ata na kanë vënë kushte.”

Pas një ore në proteste dhe në mungesë të ministrit Çuçi, fermerët u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm. Këtë të fundit e njohën me kërkesat, si dhe i protokolluan zyrtarisht ato.

Të enjten ikën pa përgjigje, por i lanë kohë ministrisë 24 orë që të shprehet për problemet e tyre në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat.


EMISIONET