“Fëmijët në gjak”, BBC sjell historinë e Nikos në Shkodër

“Fëmijët në gjak”, BBC sjell historinë e Nikos

Fenomeni i gjakmarrjes ka qenë në fokus të një shkrimi nga rrjeti prestigjioz britanik BBC. Në qendër të vëmendjes janë fëmijët e ngujuar që banojnë në qytetin e Shkodrës, shumë prej të cilëve praktikisht lindin në gjak e duhet të kenë frikë për jetët e tyre që në moshë të herët. Vëzhgimi i BBC konkludon me faktin se gjakmarrja është një fenomen që duhet çrrënjosur nga realiteti shqiptar e për këtë arsye, reforma e institucioneve duhet të kryhet me sukses.

Thuhet se hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë dhe në Shqipëri mund të shërbehet vërtet ftohtë. Nis kështu shkrimi i rrjetit britanik BBC kushtuar fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri, mosmarrëveshje që zgjasin me breza të tërë e që i marrin jetën pasardhësve që nuk kanë patur aspak të bëjnë me vrasjen origjinale.

BBC viziton Shkodrën, aty ku 68 familje nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre pikërisht për shkak të gjakmarrjes, fenomen që mbetet ende i fuqishëm pavarësisht historisë së gjatë.

BBC vizitoi 13-vjeçarin Niko, i cili ka qenë në gjak që para se të lindte. Djali jeton me gjyshërit e tij dhe është në rrezik për jetën sa herë që ai largohet nga shtëpia e tij.

Dhjetëra familje të tjera në rajonin verior të Shkodrës gjithashtu jetojnë në ngujim apo arrest shtëpiak të vetë-imponuar siç shkruan BBC, në frikë për jetët e tyre.

Historia e marrjes së gjakut në familjen e Nikos fillon pak pas krizës së thellë ekonomike të shkaktuar nga rënia e firmave piramidale.

Në kushtet kur asnjë nga prindërit e tij nuk jeton në shtëpinë e familjes, Niko rritet nga gjyshërit e tij pranë shtëpive të familjeve të tjera të përfshira në mosmarrëveshje, e duke mos ditur historinë e plotë përse ai është në gjak.

Rregullat që qeverisin gjakmarrjen janë kodifikuar prej kohësh në ligjin e njohur si Kanuni, që daton në shekullin e 15, vijon më tej BBC.

Por ky ligj shpesh abuzohet nga personat e përfshirë në gjakmarrje, të cilët nuk kanë të drejtë të vrasin fëmijët dhe gratë.

Në një kohë kur duket se Kanuni nuk respektohet plotësisht, as ligjet e shtetit nuk janë më të privilegjuara dhe sipas mësueses së 13-vjeçarit Niko, Liljana Luani, autoritetet e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë më shumë dhe të funksionojnë siç duhet.

BBC konkludon se gjakmarrja duhet të çrrënjoset njëherë e përgjithnjë nga jeta shqiptare e për këtë ekziston konsensusi se reforma e vazhdueshme e institucioneve shtetërore dhe gjyqësore duhet të ketë sukses.

EMISIONET