Kur kanë mbetur edhe 8 ditë nga afati përfundimtar për aplikimin për drejtuesin e BKH mësohet se deri tani kanë shprehur interes 7 kandidatë. Ndërkohë që vetëm 4 prej tyre kanë sjellë dokumentacionin e plotë, bashkëngjitur dhe miratimin e familjarëve për kontrollin e emaileve dhe telefonave.

Në bazë të kritereve të përcaktuara nga komisioni kandidati duhet të ketë arsimimin juridik ose policor dhe të ketë një eksperiencë jo më pak se 5 vite, ndërkohë të ketë hetuar edhe çështje të korrupsionit.

Interes për të qenë pjesë e BKH-së kanë shfaqur edhe shqiptarë që kanë punuar herët në poste të larta drejtuese, por që aktualisht jetojnë në SHBA.

TV Ora ka mësuar se njëri prej tyre është edhe Fatos Dervishi, i cili në fillim të viteve '90 ka mbajtur postin e zv. Prokuror i Përgjithshëm. Një tjetër emër është Artan Shkëmbi, drejtues i Task-Forcës në polici.

Një nga kriteret kryesore për drejtuesin e BKH, krahas eksperiencës, janë dhe aftësitë e mira fizike. Afati i fundit për të aplikuar për drejtuesin e BKH është data 30 janar 2020, ndërkohë që më pas do të jetë KLP që me rekomandimet e SPAK do të bëjë dhe emërimin.

/Ora News.tv/