Familjarët e gjashtë turqëve të arrestuar dje nga shteti i Kosovës kanë protestuar përpara Kryeministrisë.

Ata kanë kërkuar që të takohen me kryeministrin Ramush Haradinaj si edhe të marrin informacione për fatin e të ndaluarve.

Shtetasit turq, banorë të Kosovës, janë arrestuar nga policia mëngjesin e së enjtes.

Familjarët janë shprehur se nuk i intereson shkarkimi i Ministrit por vetëm duan të dinë se çfarë ka ndodhur me të arrestuarit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar sot Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe kreun e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi si përgjegjës për deportimin e shtetasve turq nga Kosova për në atdheun e tyre.

Haradinaj është shprehur se nuk ka qenë në dijeni për operacionin e ndërmarrë.

Të arrestuarit janë drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, të identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gylenit.

Autoritetet e hetuesisë kosovare u janë nënshtruar të enjten me mëngjes kërkesave të presidentit turk Erdogan, për t’i dëbuar nga Kosova përkrahësit e Fetullah Gulenit.  
 

/Ora News.tv/