Çelsi është shpallur fituese e trofeut të Europa League, pasi ka mundur në finalen e Amsterdamit portugezët e Benfikës. Londinezët e drejtuar nga Rafael Benitez, kanë bërë gjithçka mirë duke i rezistuar presionit të portugezëve në pjesën e parë, dhe për të goditur në të dytën, ndonëse duhet theksuar se suksesi 2-1 ka ardhur vetëm në sekondat e fundit, kur të dy ekipet po mendonin për kohët shtesë. Benfika ka dominuar në pjesën e parë përballë Çelsit në mbajtjen e topit dhe në lojë, por duhet thënë se mundësinë më të mirë për të shënuar e kishin anglezët me anë të Lampard në minutën e 38-të, por portieri Artur bën mrekullinë me një devijim. Në pjesën e dytë, ndeshja fillon shumë e vrullshme dhe pas pak minutash është Çelsi që gjen avantazhin falë Torres, i cili tregon potencialin e tij për të dërguar topin në rrjetë. Entuziazmi i Çelsit zgjat vetëm pak, pasi është Azpilikueta që dënon skuadrën e tij me një prekje topi me dorë në zonë, që kthehet në gol nga Kardozo i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Benfika vazhdon të krijojë lojë ndërsa Çelsi u kundërpërgjigj me gjuajtjet e Frenk Lampard, i cili në minutën e 89-të godet traversën e portierit Artur. Londinezët arrijnë të bëjnë mrekullinë në minutën e 3-të shtesë, duke shënuar golin e fitores me Ivanoviç, pas një goditje këndi të Matas, dhe duke siguruar këtë trofe që bëri sezonin e tyre në dukje të dështuar, të kthehej në një sezon të suksesshëm. Me këtë sukses, londinezët janë e para skuadër në histori që mund të quhet për pak ditë fituese në fuqi e Europa League, edhe e Ligës së Kampioneve, derisa të luhet finalja e këtij turneu mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund. Rafael Benitez largohet si fitimtar nga Çelsi, pasi i ka siguruar kësaj skuadre edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, vazhdon mallkimi shumëvjeçar i Benfikës, triumfi i fundit ndërkombëtar i të cilës mungon prej 51 vitesh. Atëherë, në sezonin 1961-1962, mundën në finale 5-3 Real Madrid në Kupën e Kampioneve. Por që nga ai moment, kanë humbur 7 finale.

/Ora News.tv/