Eurocontrol: Kujdes gjatë fluturimeve mbi Mesdheun lindor

Eurocontrol: Kujdes gjatë fluturimeve mbi Mesdheun lindor

Agjensia Europiane e Kontrollit të Trafikut Ajror Eurocontrol paralajmëroi aerolinjat të ushtrojnë kujdes në udhëtimet e tyre në Mesdheun lindor. Alarmi vjen për shkak të mundësisë së fillimit të sulmeve ajrore në Siri në 72 orët e ardhshme. Sipas Eurocontrol, raketa tokësore dhe ajrore mund të përdoren në këtë hapësirë kohore, edhe pse agjensia nuk specifikoi origjinën e ndonjë kërcënimi të mundshëm të raketave në paralajmërimin e postuar në faqen e saj zyrtare.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleatët perëndimorë janë duke diskutuar mundësinë e një aksioni ushtarak për të ndëshkuar presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili dyshohet se ka urdhëruar një sulm kimik javën e kaluar, ndaj një qyteti të kontrolluar nga rebelët. Trump madje anuloi një udhëtim të planifikuar në Amerikën Latine për t’i kushtuar vëmendje të plotë përgjigjes ndaj incidentit në Siri. Presidenti amerikan paralajmëroi të hënën për një përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme sapo të verifikohet përgjegjësi për sulmin kimik.

Megjithatë, Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të shmangë ndërmarrjen e veprimeve ushtarake. I dërguari i Moskës në Kombet e Bashkuara Vasily Nebenzia deklaroi se Uashingtoni do të mbajë përgjegjësi për çdo “aventurë ushtarake jo të ligjshme” që do të kryejë në Siri.


EMISIONET