Energjia elektrike është kthyer në një pengesë serioze për rritjen ekonomike dhe buxhetin e shtetit. Vetëm gjatë muajit gusht për të plotësuar nevojat në vend janë blerë 1.3 mln euro dhe çmimi i blerjes sipas ekspertëve është vlerësuar i lartë. Për të zgjidhur ngërçin, ekspertët i kërkojnë Ministrisë të rrisë prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe të liberalizojë tregun.

Kriza energjetike që ka përfshirë vendin gjatë këtij viti ka dhënë efekte direkte në frenimin e rritjes ekonomike.

Por përtej kësaj, importi i energjisë është kthyer në një kosto të rëndë për buxhetin e shtetit.

Ekspertët deklarojnë se huadhënia nga buxheti në situatë emergjence për sektorin e energjisë gjatë viteve me reshje të pakta dhe çmime të larta të importit të energjisë, rrezikon financat publike.

Lorenc Gordani: Çmimi rajonal i energjisë në momentin që ne kemi nevojë pësoi një rritje. E gjitha përkthehet në një kosto që bëhet shtesë dhe barrë për sektorin e energjisë.

Nisur nga kjo problematikë, ekspertët i kërkojnë ministres Belinda Balluku që të ndërhyjë për të diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike.

Lorenc Gordani: Në momentin e mungesës së reshjeve burimet diellore do të jepnin një shtesë të prodhimit të brendshëm. Nga ana tjetër mund të shfrytëzohen shumë mirë edhe kapacitetet që ne kemi në burimet eolike, ujë ose erë, të cilat do të bënin që të mos afektoheshim nga këto disbalanca që krijohen në kohë thatësire.

Ekspertët bëjnë apel që sa më parë të përfundojë edhe procesi i liberalizimit.

Lorenc Gordani: Liberalizimi synon uljen e kostove, por reforma në vetëvete nëse lihet përgjysëm bëhet një pengesë, një rritje e atyre që janë kosto paraprake që janë përballuar deri tani.

Vetëm për 10 ditë, duke nisur nga data 11 tetor deri në 20 tetor, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka blerë 1.3 mln euro energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit.

Në tenderin e fundit energjia është blerë një çmim mesatar prej 75.5 euro për megavat.

/Ora News.tv/