Mes një dileme për të qëndruar te Juventus apo jo, trajneri i kampionëve të Italisë, Antonio Konte, duket se ka bërë gati listën e shpenzimeve të tij, ku në krye të saj qëndrojnë dy sulmues të fuqishëm. Përveç blerjes Fernando Lorentes, një mbrojtës me eksperiencë dhe një mesfushor që të mbulojë krahët shihet si i nevojshëm për edicionin e ardhshëm. Konte ka bërë një listë largimesh, me qëllim që në merkato të ketë të ardhura të mjaftueshme për të afruar përforcimet e duhura. Tekniku bardhezi i ka kërkuar klubit edhe dy sulmues të tjerë. Preferencat e tij në repartin e avancuar tashmë njihen dhe janë 4 sulmues të mirnjohur, Gonzalo Higuain, Zlatan Ibrahimoviç, Edinson Kavani dhe Luis Suarez janë bomberat që  vëzhgohen nga Antonio Konte. Por, nga të gjithë këto emra, bisedimet dhe marrëveshjet më të lehta pritet të ngrihen me Gonzalo Higuainin dhe Zlatan Ibrahimoviçin, të cilët kushtojnë respektivisht 25 dhe 15 milionë euro.  Natyrisht që edhe blerja e të dyve nuk duket e pamundur, duke qenë që në dy vitet e fundit presidenti Anjeli u ka premtuar tifozëve një bomber prej 40 milionë eurosh, por me këtë shifër sivjet ai ka fatin që të blejë dy menjëherë dhe në këtë mënyrë do blindonte repartin sulmues. Por, në të njëjtën kohë, pistat e nxehta të sulmit vazhdojnë të jenë ato që të çojnë te Stevan Jovetiç i Fiorentinës dhe Xhekson Martinez i Portos, ndonëse këtu flitet për 30 milionë euro minimalisht për secilin nga lojtarët, ndaj tratativa duket shumë e vështirë. Mirëpo Konte kërkon edhe një mbrojtës potent, një lojtar që të mund të zëvendësojë me të njëjtin efikasitet njërin mes Barzaljit, Kielinit dhe Bonuçit. Zgjedhja e tij ka rënë mbi Davide Astorin e Kaljarit, i cili kushton nga 10 milionë euro, ndonëse kjo shifër mund të ulet edhe më tej, duke bërë pjesë të tratativës ndonjë lojtar të mundshëm që u pëlqen sardëve. Në mesfushë Kuadrado është synimi i parë, i dyti pas tij vjen holandezi i Bajernit, Arjen Roben, i cili mund të lërë Gjermaninë për 20 milionë euro, Por për te realizuar keto operacione Juventus eshte i gatshme te shese, Matrin, Fabio Kualiarelën, Sebastian Xhovinkon, Mirko Vuçiniç, Paolo De Çeljes dhe Stefan Litshtainer.

/Ora News.tv/