Bashkimi i Komunitetit Islamik në Itali denoncon situatën e emergjencës për viktimat e COVID-19 të besimit mysliman.

"Marrim çdo ditë sinjalizime për myslimanë të vdekur gjatë kësaj emergjence, si dhe mjekë të infektuar për të na shpëtuar të gjithë ne, e jemi të shqetësuar për situatën që po degjeneron shpesh për pakujdesi e mungesë vëmendje ndaj komunitetit të madh islamik në Itali", është apeli i tyre.

Një emergjencë  brenda emergjencës, thonë ata, pasi rituali i varrimit e i ceremonisë së vdekjes së besimtarëve myslimanë është i ndryshëm.

Autoritetet shëndetësore italiane kanë ndaluar larjen e trupave me COVID-19 e mjaft viktima të besimit myslimanë kanë mbetur pa u varrosur.

"Mbyllja e rrugëve ajrore e detare mes Italisë e vendeve të tjera, ka bërë që viktimat e besimit mysliman të grumbullohen në morget e spitaleve duke krijuar një emergjencë të re brenda emergjencës ku ndodhet vendi" apelon komuniteti islamik në Itali.

"Për viktimat myslimane të besimit mysliman është ndaluar larja e trupave për të evituar përhapjen e epidemisë e lutja e varrimit është e limituar vetëm për pak familjarë e imam,  duke mos lejuar përqafime e shtrëngime duarsh e me maska e doreza për të pranishmit.

Kryetari i Urdhërit të Mjekëve me nënshtetësi të huaj në Itali, Foad Aodi, pas konsultimit me specialistë të mjeksisë ligjore, për komunitetin arab e mysliman, sqaron se "COVID-19 transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes e me vdekjen duhet të zhduket, por thotë ai, gjatë spostimit trupat mund të nxjerrin frymën e fundit e rreziku i infektimit ekziston."

E besimi mysliman e ka të ndaluar ritualin e krematoriumit.

Bashkimi i Komunitetit Mysliman në Itali për t'i ardhur në ndihmë besimtarëve myslimanë në këtë moment të vështirë emergjence ka publikuar një manual udhëzues për të afërmit e viktimave me COVID-19.

Gjithashtu numri i ulët i varrezave myslimane në territorin italian si dhe rregullat e ngushta komunale që limitojnë varrimin nga një komunë në tjetrën, e vështirësojnë ceremoninë e varrimit për besimtarët myslimanë.

Komuniteti mysliman ka denoncuar në media rastin e një familje myslimane në komunën Pisogne në provincën e Breshës, ku prej datës 18 mars jetojnë me nënën e vdekur në banesë, pasi kjo komunë nuk ka një zonë për varrimin e besimtarve myslimanë e "komuna e Breshës që ka varreza myslimane nuk autorizon varrimin", thotë Yassine Lafram, kreu i komunitetit islamik në Itali.

Në Itali jetojnë rreth 2.6 milionë qytetarë të besimit myslimanë.

/Ora News.tv/