Elisabeta Katiaj zgjidhet kryetarja e re e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë

E enjtja ishte ditë zgjedhjesh për strukturat drejtuese të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. 112 anëtarë të Asamblesë, njëkohësisht përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së Qarqeve të Shqipërisë, kishin të drejtën e zgjedhjes mes 2 kandidatëve për kryetaren e Unionit, kryesinë e përbërë prej 21 anëtarësh dhe auditin e brendshëm të këtij institucionit.

E megjithatë vëmendja u përqëndrua në garën për kryetare të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ku Ines Muçostepa rikandidonte për një mandat të dytë, dhe Elizabeta Katiaj garonte për herë të parë për kryesimin e këtij institucioni.

Proçesi zgjedhor ishte parashikuar të niste në orën 09:00 të mëngjesit, por me mbërritjen e 2 kandidateve për kryetare, nisën dhe diskutimet.

Katiaj ka këmbëngulur që përfaqësuesit e bizneseve në qarqe të mund të votonin përmes personave të tretë me firmë të autorizuar, procedurë që u kundërshtua nga ish-kryetarja Muçostepa.

Katiaj: Depozitova një kërkesë timen për të lejuar bizneset të votojnë edhe në nëpërmjet përfaqësimit me palë të treta. Doli një rregull i çuditshëm i radhës, megjithatë e respektova.

Pas 2 orë diskutimi dhe interpretimi ligjor, çështja u zgjidh me konsensus për të mos lejuar votimin e personave të tretë.

Dyert e qendrës së votimit u hapën për votuesit në orën 10:50 minuta, ndërsa proçesi vijoi qetësisht deri në orën 17:00.

RTV Ora ndoqi të gjithë proçesin nga nisja e deri në mbarim, teksa rezultoi se 81 anëtarë Asambleje votuan në total, nga 112 që kishin të drejtën për të zgjedhur.

Procesi u vëzhgua edhe nga Ministria e Financave. Momenti i mbylljes së kutive të votimit, u shoqërua me momente tensioni, pasi anëtarët e komisionit dhe kryetarja e Unionit Ines Muçostepa kërkuan që përfaqësuesit e RTV Ora të linin qendrën e votimit, në mënyrë që numërimi i votave të bëhej pa praninë e kamerave.

Pas pak minutave diskutimesh, me transparencë të plotë, kutitë e votimit u hapën dhe nisi numërimi i votave për kryetaren e unionit, kryesinë dhe auditin.

Numërimi i votave zgjati pak minuta dhe fituese rezultoi Elizabeta Katiaj, e cila kryesoi me 8 vota më shumë, ndërsa në total numëroi 44 vota.

Ndërsa Ines Muçostepa mori 36 vota, ndërsa komisoni shpalli vetëm 1 votë të pavlefshme.

Katiaj: Ishte një garë tepër transparente. Edhe vetë rezultati  i diferencës me 8 vota nga kandidatja tjetër që ishte ish-kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë tregon faktin se kanë qenë dy kandidatë tepër serioz dhe të mirëpritur edhe nga biznesi. Ka qenë një garë tepër e fortë.

Ende pa mbaruar proçesi i numërimit për kryesinë e unionit dhe auditin, ish-kryetarja Muçostepa depozitoi pranë komisionit një dokument ankimues për zgjedhjet, që do t’i bashkangjitej raportit final. Ankimi i Muçostepës niste me faktin se media ishte e pranishme, ndërsa rendiste dhe ankesa të tjera administrative.

Proçesi i numërimit përfundoi rreth orës 19:00, por për të patur në dorë raportin final me rezultatet e zgjedhjeve, komisionit iu desh të priste deri në orën 21:15.

Orët e gjata sollën tension dhe lodhje, por përfunduan me fitoren e Elizabeta Katiajt, e cila premtoi se me ardhjen e saj në krye të unionit të dhomave të tregtisë, biznesi do të ketë një klimë më të favorshme.

Katiaj: Në përmirësimin e kushteve dhe klimës së biznesit, në përmirësimin e procedurave që ushtrohen ndaj tij, në vlerësimin e  performancës së shërbimeve shtetërore që ofrohen ndaj biznesit.



EMISIONET