Ekspozita “Unë jam shqiptar”, Veliaj:Vota për emigrantët, detyrim

Ekspozita “Unë jam shqiptar”, Veliaj:Vota për

Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Emigrimit”, u çel sot në Tiranë ekspozita “Unë jam shqiptar”, kushtuar diasporës shqiptare. Ekspozita nisi me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës që shënoi valët e para të emigrimit të shqiptarëve, vijoi me ngulmimet arbëreshe në Italinë e Jugut dhe komunitetet e tjera në vende të ndryshme të botës.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo ekspozitë vjen si një mirënjohje ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që, nisur nga shkaqe dhe periudha të ndryshme, kanë vendosur që jetën ta organizojnë në një vend tjetër, duke ruajtur traditat dhe zakonet shqiptare.

Veliaj përmendi krijimin e Ministrisë së Diasporës si pjesë e kësaj mirënjohje.

Veliaj: Sot jemi në një situatë ku po ndjekim në mënyrë agresive çështjen e diplomacisë ekonomike. Sot, akti më i madh patriotik që mund të bësh për vendin është të investosh dhe të sigurohesh që këtu vazhdon të rritet ekonomia, që këtu kemi investime të huaja. Ajo që më pëlqen që pas Samitit të Diasporës, një pjesë e madhe e anëtarëve dhe aktivistëve të diasporës janë kthyer jo vetëm në agjentë të marketingut, por edhe në agjentë thithjesh investimesh të huaja, disa herë edhe më të aftë se shërbimi diplomatik, duke qenë se vetë janë marrë me biznes.

Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi si mjaft të rëndësishme dhënien e të drejtës për të votuar atje ku jetojnë dhe punojnë.

Veliaj: Ende do të duhet të vendosim nëse do të ndodhë në mënyrë elektronike, nëse do të ndodhë me postë apo pranë ambasadave tona. Çdo variant ka pluset dhe minuset e vëta dhe sigurisht kjo do edhe një dakordësi me opozitën, por besoj se pas 27 vitesh që i kemi trajtuar emigrantët vetëm si aksionerë ekonomikë, ka ardhur koha t’i trajtojmë edhe si aksionerë politikë. Besoj se ka ardhur koha që t’i lemë mënjanë cic-micet politike dhe kur vjen puna tek vota e emigrantëve të marrim mendimin e duhur dhe t’i japim drejtim kësaj historie.

Veliaj siguroi të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut se do të kenë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës në rast se do të duan që kursimet e tyre t’i investojnë në Tiranë.

EMISIONET