Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në një rrëfim ekskluziv për kryeredaktorin e sportit në "Rtv Ora", Altin Sulçe foli për futbollin shqiptar në tërësi dhe jo vetëm.

Ndër të tjera, numri 1 i pankinës së korçarë foli për situatën që po kalon klubi bardhekuq, teksa pohoi se tashmë është i gatshëm për të marrë edhe drejtimin e kombëtares shqiptare.

Motivimi te Skënderbeu?

"Sigurisht që nëse do të ishte në një pozicionim tjetër, pra nëse do të ishte prezent edhe Europa do të ishte akoma dhe më i lehtë motivimi i grupit, por që edhe në këtë vit, në kompeticionet europiane, në kualifikueset të kompeticioneve europiane, futbolli shqiptar nuk bëri ndonjë paraqitje dinjitoze. Skuadrat shqiptare e dijnë se duhen 1 ose 2 ndeshje, pasi Skënderbeu nuk është i atyre niveleve të viteve të fundit. Duke pasur edhe ndërhyrjen e brezave brenda ekipeve, duhet të motivohen pasi përfaqësojnë një fanellë të rëndë. Secili lojtar ka kreditet e tij, pasi futbolli nuk luhet për një ose dy vjet. Jemi të gatshëm për të motivuar skuadrën, pasi rezultatet do të jenë të mira qoftë për qytetin, tifozët dhe lojtarët. Pasi siç dihet motivimi i grupit të brendshëm është më i mirë se sa ai që mund të quhet motivim i jashtëm."

Oferta nga shumë ekipe, por zgjodhe Skënderbeun?

"I kisha dhënë fjalën Korçës për atë periudhë të bukur që kaluam së bashku. Nuk ishte vetëm kalimi në grupet e Europa League, por paralelisht fitimi i kampionatit dhe i Kupës. Erdhi momenti dhe në këtë situatë të vështirë që po kalon Skënderbeu duhej të isha edhe unë prezent me ta, për të ndihmuar futbollin në këtë qytet që të jetojë, ndoshta jo në atë cikël kaq të lavdishëm por të jetë aty"

Taktika? 

"Në fakt shumë persona më thonë se je shumë teorik. Sigurisht që unë i jap përparësi shumë elementit teorik, por që rezultatet arrihen praktikisht në fushë. Ajo që quhet pjesë e kohezionit të ekipit, ajo që quhet fryma e skuadrës apo shpirti i skuadrës sigurisht që arrihet duke e lexuar lojën në një këndvështrim sepse kështu rritet edhe forca e grupit, ajo që ne e quajmë kohezion dhe seancat e teorisë janë gjërat më të mira për të parë edhe praktikisht edhe teorikisht se si duhet ta lexojmë pjesën e lojës si në fazën e mbrojtjes dhe në fazën e sulmit. Nuk është se janë teori me komunikime verbale, më shumë pjesa e teorisë përdoret me video. Edhe lojtarët nëse lodhen me pjesën e komunikimit verbal, por që ta marrim më të qartë kur shikojnë veprimet e tyre apo edhe të kundërshtarëve, duke i trajtuar këto si teori dhe që është një pjesë e fortë e punës sime."

Lojtar inteligjent apo fizik? 

"Do të preferoja që të kisha një lojtar që duhet t'i kishte të dyja. Në fund fare, që një lojtar të ketë vlera maksimale duhet që në të gjithë komponentët, qoftë tekniko-taktik, fizk apo edhe psikologjik të jetë në nivele sa më të larta, në mënyrë që performanca e tij në lojë të jetë ajo e duhura."

Lojtari më i mirë që ke stërvitur? 

"Janë disa dhe në pozicione të ndryshme nuk mund të bëj ndarje, por janë disa që kam stërvitur. Nëse them 3 do të mbeten pa thënë 33. Kur ke fituar tre tituj kampion, Kupë Shqipërie dhe ke bërë gjithë këtë rrugëtim në Europë, në grupe, sigurisht që ke pasur lojtarë të mirë në dispozicion, sepse në fund fare ato janë aktorët kryesorë në interpretimin e lojës, kështu që do të preferoja që të listoja vetëm kapitenët e ekipeve, duke nisur që nga Nevil Dede, Arjan Pisha, Orges Shehi. Besoj se ka edhe të tjera por që nuk do të më kujtohen edhe do të lë ndonjë pa përmendur."

Ndeshja më e mirë që ke drejtuar? 

"Sigurisht që kulmi ka qënë kualifikimi në grupet e Europa League, në ndeshjen play-off kundër Dinamos së Zagrebit, duke mos harruar se për gati 20 minuta kemi luajtur me 10 lojtarë përballë një kundërshtari që sot ndodhet në grupet e Champions League që do të thotë ishte sukses i jashtëzakonshëm, ishte një suport total i gjithë korçarëve dhe jo vetëm, pasi e gjithë Shqipëria u bë në atë periudhë me Korçën."

Lojtarin që e ke vendosur sa në një pozicion në tjetrin?

"Janë disa, pasi specifika e futbollit është lojë dinamike dhe në momente të caktuara duhet të jesh i qetë për të parë qoftë për të parë lëvizjen tënde, qoftë edhe të kundërshtarit. Natyrshëm që lëvizjet janë dinamike dhe shpesh herë janë pozitive e shpesh herë negative."

E ardhmja?

"Ëndrra e çdo trajneri më e madhe është që një ditë të drejtoj edhe kombëtaren e vendit të vet. Duke hequr dorë nga modestia jam i gatshëm për ta bërë një gjë të tillë nga ana profesionale, por që ky vendim është vendim i drejtuesve të Federatës. Kanë bërë një zgjedhje të mirë në këto vitet e fundit, sepse kanë marrë trajner nga një shkollë që është mjaft e mirë në nivel ndërkombëtar siç është ajo italiane,"

"Para një jave më tha Muzaka, profesor, nëse nuk do të ishte teknik futbolli do të shikoja në tre profesione të tjera. Mjek, psikolog dhe në futboll, pasi nuk të ndahet shpirti prej tij për nga mënyra se si i trajton problemet me lojtarët.

Çfarë hobi ke?

"Të them të drejtën në pjesën time të rinisë kam pasur hobi që të luaj tenis, por dëmtimi i gjurit. Kam qejf udhëtimet, sidomos kur i jap makinës vetë. Jam i çik, shpesh herë, nga njohja që kam edhe me policët, më tolerojnë një shpejtësi të pakët. Ka raste që ka edhe pak shpejtësi më të madhe, pasi i lë për momentin e fundit edhe udhëtimet e gjërat e tjera dhe më duhet të nxitoj pak. Dëgjoj muzikë të rrymave të ndryshme dhe këtë e kam në pjesën kur jam pushim. 24 orë nuk mund të them sepse është edhe pjesa e gjumit. Realisht për futbollin mendoj gjithë ditën. Zakonisht miqtë e mi më thonë se mendoj gjithmonë për futbollin. E kam pasion, e dashuroj punën time dhe jam i motivuar që prej ditës së parë dhe deri tani, çka më bën që të marr edhe rezultate," tha mes të tjerash Daja.

/Ora News.tv/