EKSKLUZIVE/ Bare, ylli kuqezi që po shkëlqen

EKSKLUZIVE/ Bare, ylli kuqezi që po shkëlqen

Mesfushori i kombëtares shqiptare Keidi Bare në një intervistë ekskluzive për Rtv Ora me gazetaren Albana Bejko, ka rrëfyer udhëtimin e tij futbollistik deri tek ftesa me fanellën kuqezi. Fieraku tregon sesi nisi kontaktin e parë me topin...

Kam filluar të vallëzoj me topin shumë i vogël. Luaja me shokët e lagjes pranë stadiumit ku është fusha sportive sot e Apolonisë. Një ditë një shok i babait (Romeo Haxhiaj) më pa dhe më ftoi që të stërvitesha me të. Babai fillimisht ishte skeptik, por më pas u bind që duhet të stërvitesha për tu bërë futbollist.

Bare tregon momentin kur u largua nga familja në shtetin grek, në moshën 10 vjeçare.

Ishte një moment i vështirë por nuk kisha çfarë të bëja. E kam kaluar shumë keq pasi nuk ambjentohesha. Kur flisja me familjen qaja gjithmonë, babai më thoshte që tu riktheja në shqipëri por unë e dija se duhej të vazhdoja përpara dhe se ky hap ishte shumë i rëndësishëm për mua pavarësisht vështirësive të shumta. Në fund besoj se sakrifica ia vlejti shumë.

I pyetur për aventurën në kampionatin spanjoll me skuadrën e Atletiko Madridit, 22 vjeçari u shpreh se ishte një mundësi që nuk mund ta refuzonte.

Ishte një eksperincë të cilën nuk mund ta refuzoja, pasi e dija mirë që do luaja për një skuadër kompetitive sic është Atletiko Madrid. Shkova në një turne me Atletikon në Gjeorgji dhe atje u shpalla mesfushori më i mirë. Ishte një eksperincë fantastike që më ka ndihmuar shumë nga ana profesionale dhe i falenderoj shumë pasi kanë dhënë një kontribut për atë çfarë jam sot.

I pyetur për mardhënien me futbollistët më me emër të Atletikos si Griezmann, Torres apo edhe eksperienca me trajnerin Diego Simeone, Keidi u shpreh:

Torres ka qenë idhulli im në fëmijëri. Ishte një ëndërr për mua ta kisha shokë skuadre dhe ta shihja kur luante futboll.

Kontakti i parë me Fernado Torres ka qenë tepër miqësor. Ka qenë jo vetëm një futbollist fantastik por edhe një njeri shembullorë. Më mësonte si të veproja kur gaboja në stërvitje. Më motivonte gjithmonë.

Transferimi tek Malaga dhe aventura në Segunda Divizion.

Të lija Atletikon ishte diçka e vështirë, por në fund mendova për veten time. Doja të tregoja sesa vleja. Minutat në këtë moment të karrierës janë shumë të rëndësishme për mua. Jam përshatur mirë pasi kam mbështetjen e të gjithëve.

Ndërkohë, Bare ka folur edhe për rrugëtim për të mbërritur tek kombëtarja A.

Kam punuar çdo ditë që të vesh fanellën e kombit tim. Për mua ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Tani do të bëj maksimumin që ta meritoj këtë fanellë.

Numri 7 në fanellë...

Nuk është numri im i preferuar pasi gjithmonë kam luajtur me fanellën me numrin 8.

I pyetur për ndeshjen delikate me Turqinë në kuadër të kualifikuesve “Euro 2020”, lojtari i Malagas u shpreh se duhet vëmendje maksimale.

Përballja me Turqinë është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ne duhet të bëjmë atë çfarë dhuruam kundër Islandës. I dimë potencialet tona dhe e vlerësojmë shumë kundërshtarin. Ata kryesojnë grupin dhe ndaj shqipërisë duan vetëm tre pikët.

E ardhmja?

Dua ti ngjis shkallët një e nga një. Dëshiroj shumë të lër gjurmë me fanellën e Atletiko Madridit. Ëndrra është botërori me ngjyrat kuqezi.

Kuiz?

Shoku më i mirë në kombëtare?

Rey Manaj. E njoh prej vitesh dhe kam një raport të shkëlqyer.

Lojtari më i shoqërueshëm?

Janë disa, Manaj, Roshi, Memushaj.

Lideri?

Memushaj, Hysaj.

Më donzhuani?

Normal, Bekim Balaj.

EMISIONET