Ekonomia e Japonisë u kontraktua për të tretin tremujor rresht, duke nxjerrë në pah sfidat me të cilat duhet të përballet qeveria e re për të risjellë rritjen e ekonomisë. Ekonomia u tkurr me 0.1 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shumica e analistëve kishte parashikuar një rritje prej 0.1 për qind. Kjo është e barabartë me rënien vjetore prej 0.4 për qind të prodhimit të brendshëm. Rritja e Japonisë është goditur nga rënia e eksporteve drejt tregjeve kryesore, sikurse nga rënia e konsumit të brendshëm. Ndërkohë, Banka Qendrore e Japonisë la normën e interesit të pandryshuar mes zeros dhe 0.1 për qind. Gjithësesi, ajo refuzoi propozimin për të mbajtur normat në atë nivel deri në arritjen e objektivit për një kuotë të inflacionit në 2 për qind. Banka qendrore e vendosi objektivin në fjalë muajin e kaluar, në përpjekje për të nxitur kërkesën e brendshme. Japonia lufton me deflacionin, ose rënien e çmimeve, që prej pjesës dërrmuese të dekadës së kaluar. Kjo ka dëmtuar kërkesën e brendshme me konsumatorët të prirur për të shtyrë blerjet në përpjekje për të kapur çmime më të lira më vonë.

/Ora News.tv/