Shqipëria vijon të humbasë terren në renditjet ndërkombëtare.

Pas rënies në konkurrueshmërinë globale, edhe raporti i fundit "Doing Business" i Bankës Botërore e vlerëson vendin me 19 pozicione më ulët nga viti i kaluar, duke e radhitur të 82-ën nga 190 ekonomitë e botës të marra në analizë për vitin 2020.

Organizata ndërkombëtare thekson si arritjen më të madhe të vitit për Shqipërinë rritjen e fizibilitetit të sistemit energjetik.

Edhe pse ka bërë hapa përpara nga viti i mëparshëm, si pikat më të dobëta të të bërit biznes në vend vijojnë të mbeten procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit që zgjatin 320 ditë ose dyfishi i standardit europian dhe pagesa e taksave vjetore që Shqipëria numëron mesatarisht 35 nga 14 që aplikon Europa.

Dobësi paraqiten edhe në mbrojtjen e investitorëve të vegjël apo në respektimin e afateve gjyqësore kur palët hasin mosmarrëveshje.

Reformat e vazhdueshme, ndërkaq, kanë ndihmuar që Shqipëria të vlerësohet më mirë për ecurinë e hapjes së një biznesi, tregtinë ndërkufitare, procedurat e falimentit dhe aksesi në kreditë bankare, për të cilat vendi renditet i 25-i deri 53-i në botë.

Raporti "Doing Business" për vitin 2020 radhit Maqedoninë e Veriut në vendin e 17-të si shtetin me klimën më të mirë të biznesit në rajon, ndjekur nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Kosova.

Në rang global, lista e ekonomive më favorizuese për biznes kryesohet nga vendet aziatike si Zelanda e Re, Singapori dhe Hong-Kongu.

/Ora News.tv/