Në një kohë që në Shqipëri përfshirja e biznesit të vogël në TVSH është kthyer në debatin kryesor, Banka Botërore nuk e vlerëson këtë si nismën e duhur edhe pse nuk ka komente për kostot që i shtohen biznesit. Ndërkohë në lidhje me tarifën e vendosur në Rugën e Kombit kërkohet kujdes për banorët e zonës, ndërsa më shumë transparencë kërkohet edhe për projektet PPP.

Banka Botërore nuk e ka mirëpritur uljen e pragut për përfshirjen e biznesit në TVSH deri në 2 mln lekë. Gjatë konferencës për ecurinë ekonomike të Ballkanit, ekonomistja e Bankës Botërore për Shqipërinë Hilda Shijaku u shpreh se kjo nismë do të rëndojë Tatimet duke e zhvendosur vëmendjen nga tatimpaguesit e mëdhenj.

Megjithatë ky institucion nuk dha shpjegime në lidhje me efektet që do të ketë te biznesi.

Hilda Shijaku: Rritja e barrës administrative për organet e taksave për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për tu marrë me taksapaguesit e mëdhenj, me ata që realisht afektojnë përqindjen më të lartë të taksave të mbledhura dhe ky është shqetësimi ynë. Kapaciteti i organeve të taksave është gjithësesi i kufizuar dhe kjo është një barrë shtesë mbi ta.

Ndërkohë në lidhje me vendosjen e tarifës në Rrugën e Kombit  menaxherja e BB për Shqipërinë kërkon të merren masa për të mbrojtur banorët e zonës.

Maryam Salim: Unë jam në dijeni se ka ende disa diskutime dhe Kryeministri është shprehur se po shikojnë se cilat mund të jenë këto pagesa më të ulta për popullsinë e zonës. Në përgjithësi si në çdo vend pagesat janë të nevojshme për të mirëmbajtur apo për të ndërtuar rrugë.Duhet mbajtur parasysh se çfarë masash merren për popullsinë lokale sigurisht.  

Pas kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për më shumë transparencë me PPP edhe Banka Botërore ka përsëritur apelin për të treguar kujdes me efektet në nivelin e borxhit.

Hilda Shijaku: Në Shqipëri jo të gjitha PPP kanë rezultuar të suksesshme dhe nga eksperienca ne mund të filtrojmë një sërë reziqesh që mund të përsëriten. Për të minimizuar këto rreziqe ritheksoj që duhet patjetër përmirësuar kuadri seleksionues, monitorues dhe vlerësues i PPP në përputhje me atë të investimeve publike.

Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë më e vogël në dy vitet e ardhshme krahasuar me 2017 për shkak të mbarimit të investimeve. Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike 3.6 % në 2018 dhe 3.5 për 2019.





/Ora News.tv/