Edhe farmacitë në krizë, pezullimi i vizitave mjekësore ul kërkesën për medikamente

Edhe farmacitë në krizë, pezullimi i vizitave mjekësore ul

Nga kriza financiare që ka shkaktuar koronavirusi është prekur dhe sektori i farmaceutikës. Farmacistët në kryeqytet shprehen se si klientë kanë vetëm të sëmurët kronikë, ndërkohë që të tjerët shmangin vizitat me mjekët. Nga ana tjetër, dhe kërkesa për maska apo higjenizues është në rënie.

Në dukje, në mes të pandemisë së koronavirusit, ngjan si biznes fitimprurës, por pandemia ka prekur rëndë të ardhurat e farmacive.

Armand Koni ka një farmaci në kryeqytet, dhe pohon se të vetmit që kërkojnë shërbim që prej 9 marsit, janë të sëmurët kronikë.

Armand Koni: Medikamentet gjatë kësaj kohe përveç rasteve kronike nuk kanë pasur ecurinë e duhur.Të gjitha vizitat ambulatore momentalisht janë pezulluar dhe konsumi i medikamenteve ka rënë. Farmacisti është i ekspozuar edhe kundrejt një risku të madh që është skadenca.

Nga ana tjetër, kërkesa për produktet parandaluese ndaj koronavirusit, si maskat apo higjenizuesit, ka rënë ndjeshëm krahasuar me javët e para të pandemisë.

Armand Koni: Një pjesë e njerëzve i përdorin, i kanë produkte të ditës. Por një pjesë lë për të dëshiruar, kanë një tendencë të mos marrin informacione, ta neglizhojnë maksimalisht.

Edhe çmimet kanë shënuar një rënie të lehtë. Sot një maskë kirurgjikale shitet mesatarisht me 70 lekë, nga 100 lekë që tregtohej gjatë pandemisë.

Armand Koni: Maska shet kushdo tani, jo vetëm farmacitë. Janë produkte që kuotohen globalisht, nuk është se është vetëm në Shqipëri. Çmimi ka rënie, nuk ka ngritje.

Tendenca në rënie e kërkesës për maska apo higjenizues vihet re kudo, teksa qytetarët duket se kanë ulur vigjilencën dhe nuk zbatojnë masat parandaluese ndaj Covid-19. 

EMISIONET