Kolonia e lojtarëve shqiptarë në Seria A mund të zgjerohet. Sokol Çikalleshi është emri më i lakuar në elitën e futbollit italian, me "Pianetalecce.it" që pohon se sulmuesi shqiptar ka nisur kontaktet e para me skuadrën e Lecce.

Paraqitjet e 29 vjeçarit kanë tërhequr vëmendjen e trajnerit të skuadrës që u ngjit këtë sezon në Seria A, Fabio Liverani.

Me urdhër të tij, emisarë të klubit kanë kontaktuar Çikalleshin, i cili nuk do të ishte kundër idesë për tu bërë pjesë e Seria A. Interes për kavajasin ka edhe nga Ligue 1, por interesi i Lecce duket të jetë solid. Në sezonin e kaluar në Turqi, me skuadrën e Akhisarspor, ai shënoi 8 gola në 29 paraqitje.

Kujtojmë që në Seria A aktivizohen edhe futbollistë të tjerë të kombëtares shqiptare, si Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Kastriot Dermaku, Emanuele Ndoj, Elseid Hysaj, Marash Kumbulla dhe Berat Djimsiti.

/Ora News.tv/