Federata Shqiptare e Futbolli nëpërmjet Komisionit të Etikës, ka filluar mbledhjen e fakteve dhe të dhënave, në lidhje me ndeshje e ditës së djeshme (2 korrik) mes Bylisit dhe Tiranës, të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës, e cila u mbyll 2-1 për vendasit, por kishte dyshime të mëdha, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në ndeshje.

''Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim'', thuhet në njoftim.

Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova.

Bylis-Tirana pati elemente të një ndeshjeje të dyshimtë, ku përveç paraqitjes së aktorëve të fushës, rezultati vërtetohet edhe nga lëvizjet e çuditshme të koeficienteve të kompanive të basteve, por edhe të kompanive vendëse që operojnë në mënyrë ilegale, pasi dihet se bastet sportive janë të ndaluara në Shqipëri.


/Ora News.tv/