Në kohën kur Shqipëria po përballet me luftën ndaj koronavirusit, një pjesë e qytetarëve po kalojnë ditë të vështira nga mungesa e të ardhurave për të siguruar ushqime. Kjo i ka detyruar disa prej tyre për të kërkuar ndihmë pranë njësive bashkiake, por kjo e fundit është mjaftuar duke i kërkuar numrin e telefonit me premtimin se do ua dërgojnë në shtëpi.

Shtresat në nevojë janë duke vuajtur këto ditë pasi nuk kanë para për të siguruar ushqime dhe kjo i ka detyruar një pjesë prej tyre ti drejtohen njësive bashkiake në kryeqytet për të kërkuar ndihmë.

Banorët e njësisë bashkiake nr.1 kërkojnë ushqime në formë ndihme, por një pjesë e tyre pretendojnë se nuk kanë marrë ndihma, dhe ato që janë, janë shpërndarë në mënyrë selektive.

Qytetari: I marrin vetë këta, asgjë. Asnjë ndihmë, jam vetëm në shtëpi. Na morën numrin e telefonit por asnjë sqarim. Shih si bën ajo, do ti shesë të gjitha.

Është dashur ndërhyrja e policisë së shtetit dhe asaj bashkiake për të shmangur grumbullimin pranë kësaj njësie, ndërkohë si zgjidhje për qytetarët në nevojë është ofruar dhënia e numrit të telefonit, me pretendimin se do ua dërgojnë në shtëpi.

Punonjësja: Do ta sjell unë, ik në shtëpi. E di ku e ke shtëpinë ti.

 Nga qytetarët që po kalojnë periudhë të vështirë gjatë këtyre ditëve ku i pranishëm është dhe virusi COVID-19, shprehen se të paktën mos të vdesin për bukë, se për virusin nuk kanë frikë.

Qytetari: Prej 14 ditësh jemi mbyllur. Jam pa pension. Kam ushqim vetëm për sot. Nesër vetëm të dal në rrugë me gruan nuk kam çfarë të bëj. Jam edhe me qira prej 8 vitesh pa asnjë lloj përkrahje. Ai tha merr numrin e telefonit. Vetëm të mos vdesim për bukë, nga virusi si ta ketë shkruar Zoti. Është gjynah të vdesim për bukë se kemi punuar për kaq kohë.

Nga ana e përfaqësuesve të kësaj njësie është e paqartë mënyra se si do të operohet në ndarjen e ushqimeve, se kush përfiton dhe çfarë përfiton nga kjo situatë.



/Ora News.tv/