Shirat e fortë të shoqëruar me furtunë në Spanjë shkaktuan të enjten dy viktima dhe përmbytën rajonet lindore të vendit.

Një 61-vjeçar së bashku me motrën e tij humbën jetën nga dalja nga rruga dhe batisja e automjetit që drejtonin, si pasojë e ujërave të rrëmbyer në qytetin e Valencias.

Autoritetet valenciane urdhëruan mbylljen e shkollave dhe universiteteve me gati 300 mijë nxënës e studentë në shumicën e lagjeve.

Ndërkohë balta dhe shirat e vrullshëm bllokuan nyjet kryesore të qendrës dhe zhvendosën dhjetëra makina nga vendi.

Edhe zona e Ontinjentit përjetoi rrebeshin më ekstrem prej më shumë se një shekulli, duke rezultuar deri në 400 milimetra shi.

Kryebashkiaku i qytetit kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të financuar zhdëmtimin e objekteve.

Stuhia është parashikuar të lëvizë në rajonet më mesdhetare të vendit edhe gjatë ditës së premte.

Kryeministri spanjoll Pedro Sançez informoi se shërbimet e emergjencës po punojnë për të minimizuar pasojat e dukurisë natyrore.

Shirat e dendur dhe stuhitë janë një fenomen i zakonshëm për brigjet lindore spanjolle gjatë fundit të sezonit të verës dhe fillimit të vjeshtës, kur masat e avujve nga ujërat mesdhetarë ngrihen në qiell duke formuar re të paqëndrueshme.







/Ora News.tv/