Dvorani: S'kam deklaruar se KED mund të bllokohet; Blushi: Ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar ndaj deklaratave të zëdhënësit të presidentit Meta mbi një deklaratë të Dvoranit pas marrjes në pyetje nga prokuroria.

Zëdhënësi i presidentit deklaroi se "alibia" e Dvoranit se ndjekja e tij penale mund të bllokojë veprimtarinë e KED është e pabazë, pasi ligji e ka zgjidhur këtë situatë.

Por vetë Dvorani mohon të ketë deklaruar diçka të tillë. Ai sqaron se ka deklaruar se një procedim penal ndaj tij do të bënte të pamundur që ai të ushtronte funksionin e tij në cilësinë e kryetarit të këtij institucioni.

Fill pas kësaj deklarate,zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi në një postim në facebook bën këtë apel për kreun e KED.

Blushi: Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen! Të lutem mos dëmto provat se do rëndosh më shumë pozitën tënde! Më thonë gazetarët se paske publikuar dhe një video? Shumë mirë! Ruaj qetësinë me videot, se publikimi i tyre nuk ka filluar akoma! Ne e dimë që ty të kanë ngatërruar në anglisht, por do të sqarojmë edhe në shqip! Ndaj bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot! Megjithatë, ne me shumë qetësi po presim hetimin! Reforma në Drejtësi do ecë përpara dhe askush nuk mund ta ndalë dot!

Deklarata e plotë e Ardian Dvoranit

Nëpërmjet medias, vij në dijeni të një “sqarimi” të zëdhënësit të Presidentit të Republikës i cili, me këtë rast, paska vendosur pikat mbi “i”, duke qetësuar opinionin publik dhe këdo të interesuar se “alibia” ime në komunikimin e djeshëm me median që nëse ndiqem penalisht bllokohet edhe veprimtaria e KED, nuk mund të ndodhë sepse ligji e ka të zgjidhur këtë situatë.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut. Kështu do të vazhdoj, të ushtroj deri në fund kompetencat, pa u shpërqëndruar nga të tilla fenomene.

Ushtrimi i detyrës dhe dinjiteti i funksionit që kam, më kërkon të mos i përgjigjem këtyre lloj lojërave, nëse nuk është e domosdoshme për të mbrojtur autoritetin kushtetues të KED, të anëtarëve në përbërje të tij dhe figurën e dinjitetin tim në cilësinë e gjyqtarit.

Edhe në këtë rast mund të mos përgjigjesha, nëse nuk do të shikoja të njëjtën sjellje prej recidivësh në shfaqjen publike të të pavërtetave dhe gjysmë të vërtetave, me të cilat së paku vetëm transparencë nuk mund të bëhet.

Ndryshe nga sa paraqitet në këtë “sqarim”, unë jo vetëm nuk kam deklaruar, por as edhe nuk kam lënë të kuptohet se KED bllokohet nëse i nënshtrohem ndjekjes penale. Përkundrazi, në përgjigje të pyetjes së gazetares jam shprehur qartë, në gjuhën shqipe, se nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin (në KED). I ndërprerë nga pyetja tjetër e gazetares, jam përgjigjur se KED, pra edhe ai i vitit 2020, do të vlerësojë situatën, duke u shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Pa u menduar gjatë, kushdo e kupton se nuk bëhet fjalë për bllokim të KED. Kjo nuk mund të ndodhë.

Në ditët që jetojmë, për të qenë të përgjegjshëm dhe të sinqertë, teknologjia na ndihmon për gjithçka, edhe për të verifikuar veten dhe që të mos nxitohemi për të folur pa u menduar. Opinioni dhe kushdo i interesuar, për të vërtetën, nuk ka përse të më besojë as mua dhe as “sqaruesin”. Mjafton të shikojë dhe dëgjojë atë që çdo media ka përcjellë ditën e djeshme, të cilën për lehtësi e kam bashkëlidhur këtij komunikimi (në fund të këtij materiali mund të gjeni videon me deklaratën përkatëse).

Së dyti, “sqaruesi” evidenton “papërgjegjshmërinë” time përkundrejt transparencës duke njoftuar publikisht një rend dite të mbledhjes së KED, të ndryshëm nga ai dërguar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në mbledhjet e tij.

Edhe për këtë “papërgjegjshmëri” të evidentuar nga “sqaruesi” nuk do të përpiqem të shpjegohem gjatë. Në të vërtetë, në të dy rastet kanë qenë 5 çështje në rendin e ditës, ndryshon vetëm numërtimi. Sigurisht kalimet e procesverbaleve, si në veprimtarinë e çdo institucioni tjetër publik kolegjial nuk klasifikohen e vendosen si çështje të rendit të ditës. Përsëri, edhe në këtë rast, teknologjia na ndihmon për të verifikuar të vërtetën.

Prandaj dy aktet e “papërgjegjshmërisë” time po ia bashkëlidh këtij komunikimi për t'i vlerësuar kushdo që mund të jetë i interesuar. Vetëm se i sjell në vëmendje "sqaruesit", që çështjet e rendit të ditës së një mbledhjeje nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.

EMISIONET