Durrës: Banorët kundër shembjes me tritol të pallatit të dëmtuar nga tërmeti

Durrës: Banorët kundër shembjes me tritol të pallatit

Banorët dhe bizneset e lagjes 11 në Durrës kundërshtojnë shembjen me shpërthim të komanduar të një pallati të dëmtuar nga tërmeti. Ata thonë se shpërthimi do tu shkaktonte dëme materiale, ndaj kërkojnë që objekti të rrëzohet me makineri.

Në Durrës, vijojnë përgatitjet për shembjen  e këtij pallati të dëmtuar nga tërmeti në lagjen 11 të qytetit bregdetar.

Komuniteti i banorëve dhe bizneseve që operojnë në zonë dolën në protestë kundër shembjes me shpërthim të komanduar.

''Kjo është e palogjikshme. Me dinamit shkatërron çdo gjë.''

Ata thonë se janë rreth 200 biznese në zonë që rrezikojnë dëmtime në rast të një shpërthimi të fuqishëm eksplozivi.

Ndaj kërkojnë që pallati i ashtuquajtur i Vipave, pasi aty kanë jetuar disa artistë të njohur të rrëzohet në mënyrë mekanike.

''Bëhet fjalë për 200 biznese. Ai thotë çmontoni vetradat. Unë kam biznesin me rroba të bardha, dhe po u fut pluhuri brenda nuk vlen më. Kam 50 mijë euro mall.''

Kundër përdorimit të eksplozivit në këtë zonë në qendër të Durrësit janë edhe banorët e pallateve aty pranë. Edhe ata u tremben dëmeve.

''Na thyen xhamat, jemi pensionistë, nuk na ndihmon njeri, fëmijët i kemi jashtë. Mua më del shtëpia jashtë përdorimit.''

Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar shembjen e 5 pallateve të dëmtuar  nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa priten akt ekspertiza finale për shumë objekte të tjera.

EMISIONET