Drogë përmes Facebook e Whastapp, 4 shqiptarë në pranga

4 shqiptarë, 3 italianë e 1 shtetas nga Tunizia janë vënë nën urdhrin e arrestit nga policia italiane e qytetit të Torinos të akuzuar se shisnin lëndë narkotike duke përdorur rrjetin social Facebook dhe Whatsapp.

Droga tregtohej kryesisht në lagjen Vanchiglia të Torinos e cila është një nga zonat më të frekuentuara nga të rinjtë.

Anëtarët e kësaj bande merrnin porosi për blerjen e dozave të drogës përmes profileve në Facebook si dhe në Whatsupp, duke furnizuar në kohë reale konsumatorët e lëndëve narkotike.

Trafikonin kryesisht marijuanë e kokainë që në gjuhë të kriptuar për t'i shpëtuar përgjimeve telefonike e quanin "sallata" ndërsa kokainën "fatura".

Në hetimet mbi 1 vjeçare të policisë italiane është zbardhur se anëtarët e bandës këshillonin korrierët e rinj të mos shfaqeshin shumë në rrugë e të përdornin profile facebooku pa fotografi për marrjen e porisve të drogës.

Gjatë kontrollit policor, një prej anëtarëve të bandës i është gjetur dhe një pistoletë pa numër serie.

EMISIONET