Po kontrollohet çdo pëllëmbë e Sazanit e Karaburunit

Po kontrollohet çdo pëllëmbë e Sazanit e Karaburunit

Ende nuk ka asnjë gjurmë nga gomonia e zbuluar ditën e djeshme pranë brigjeve të Karaburunit që dyshohet se do të tentonte trafik droge drejt Italisë. Në kërkim të mjetit lundrues që sipas policisë ka në bord tre persona vijon një superoperacion, nga forcat shqiptare, ato të Guardia Di Finanza dhe malazeze. Ndërkohë forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle në gadishullin e Karaburunit, ku dyshohet se mund të jetë fshehur droga që do të tentohej të trafikohej.

Në det e në Tokë vijon prej ditës së djeshme një superoperacion i agjensive ligjzbatuese shqiptare në bashkëpunim me italiane e malazeze në kërkim të gomonës së evidentuar pranë Sazanit në një tentativë të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike.

Por krahas operacionit në det për të cilin janë angazhuar disa mjete shqiptare dhe mjete nga ajri të Guardia Di Finanza nga ajri, forcat e policisë kanë nisur krehjen e gadishullin e Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, si pikat e dyshuara të nisjes së gomones.

Dyshimet janë se në këto zona, mund të jetë fshehur një sasi e madhe lënde narkotike e cila ishte planifikuar të trafikohej me gomone drejt Italisë. Pasi në mjetin lundrues gomone, sipas policisë janë evientuar tre persona dhe bidona plastikë, por pjesa e tjetër  e mjetit ishte bosh.

Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, mbrëmjen e së premtes në vendin e quajtur "Bristan", midis shkëmbinjve,  policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.

Por burimet thonë se lënda narkotike nuk ka lidhje me tentativën e trafikut, ndaj edhe kontrollet do të vijojnë më intensivisht gjatë ditës së sotme.

Në aksion është përfshirë Policia Kufitare, Delta Forcë dhe forca nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Policia ka paralajmëruar se nuk do të lejojë lëvizje në zonën e Karaburunit deri në përfundim të aksionit të kontrollit.

Në operacionin e gjërë në ndjekje të gomones u angazhuan 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcë të anijës "Oriku" dhe e Helikopterit të FA-së dhe njësitë e Guardia di Finanza.

Deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonjë gji bregdetar, në ujrat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë,  por vijon kërkimi nga ajri nga GdF.

EMISIONET