Dritëro Agolli kolosi i letrave shqipe nderohet nga Presidenti i Shoqatës Botërore të Akuarelistëve Atanur Dogan. Dashuria e nderimi për kolosin e letrave shqipe, shkrimtarin e madh Dritëro Agolli nuk është e izoluar vetëm brenda kufinjve të Shqipërisë, por edhe jashtë saj.  Atanur Dogan, akuarelisti turk me famë botërore ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të prekur nga afër portretin e shkrimtarit Agolli, të cilin më herët e ka hedhur në telajo duke iu referuar vetëm një fotografie. I emocionuar për këtë çmim, Dritëro Agolli nuk heziton të krijojë një mjedis shlodhës dhe plot batuta. I çlirët ashtu sikurse vitet janë treguar me të. Mes miqsh e të afërm, shtëpia e shkrimtarit të madh është gjithmonë e hareshme dhe e hapur për të mirëpritur miq të rinj, aq sa piktori turk Atanur Dogan nuk e ka të lehtë të shkëputet nga biseda me të. Nga historitë e regjimit komunist e deri tek partneriteti i ngushtë social e kulturor i Shqipërisë me shtetin turk, Dritëro Agolli e përligj më së miri frymëzimin që i ka dhënë piktorit Dogan. Hijet që kanë veshur figurën e tij, duke e lidhur ngushtë me regjimin komunist, autori i veprave e të cilit e kaluan provën e ndërrimit të sistemeve, u përgjigjet me batuta të fisme. Por çfarë do t'i ndryshonte personazhit më të spikatur të letrave shqipe  Dritëro Agollit, piktori turk tanimë që e takoi nga afër? Në një ambient familjar, shkrimtari i madh pagëzoi edhe një vlerësim artistik në praninë e tij. Ormira Lulani dhe Helidon Haliti morën vlerësimin për promovimin e zhanrit të akuarelit të lëvruar nga artistët shqiptarë dhe ndërkombëatrizimin e vlerave të tyre. Dy të rinjtë që sollën për herë të parë bienalen ndërkombëtare të Akuarelit, u vlerësuan me një medalje mirënjohjeje me një ceremoni të zhvilluar në shtëpinë e Dritëro Agollit ku brezat bashkëjetojnë më së miri. /Oranews.tv/

/Ora News.tv/