Drejtimin e Parlamentit Europian e mban Italia, një majtist në krye

Drejtimin e Parlamentit Europian e mban Italia, një majtist në krye

Europarlamentari italian i Partisë Demokratike, Davide Sassoli, është zgjedhur kryetar i Parlamentit të ri Europian.

Me 345 voto pro kundrejt një mazhorance të nevojshme prej 334 votave, Davide Sassoli do të zëvendësojë në këtë legjislaturë të re, kolegun e tij italian Antonio Tajani.

"Jam shumë i emocionuar, e falenderoj kryetarin Tajani për punën e kryer e dedikimin e tij ndaj këtij institucioni të lartë europian", tha në fjalën përshëndetëse kryeparlamentari europian i sapo zgjedhur.

Me entuziazëm e shumë ovacion nga e majta është pritur ky lajm në Itali.

"Një italian i së majtës PD ndër figurat më të larta europiane", u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Nicola Zingaretti.

"Qeveria bëri dëm e na izoloi, tha ai, por Partia Demokratike ekziston e është e rëndësishme.".

Thumbues në deklaratën e tij dhe kryeparlamentari i ri europian Sassoli: "Nacionalizmi që shndërrohet në ideologji e idhujtarë prodhon viruse që nxisin instikte superioriteti e konflikte destruktive", tha ai.

"Europa duhet të rikthehet në frymën e etërve themellues, të koordinojë rritjen, mbrojtjen sociale e respektimin e ambientit."

Në votimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit europian Partia e Matteo Salvinit votoi për konservatorin Jan Zahradil, Forca Italia abstenoi, ndërsa Lëvizja 5 Yje i la një zgjidhje të lirë parlamentarëve të saj.

EMISIONET